PS-PD nuk gjejnë konsensus për drejtimin e komisionit Ad Hoc
>Mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për drejtimin e komisionit Ad Hoc, i cili do të merret me vëzhgimin e pajisjes së shtetasve më karta identiteti. Siç bëhet e ditur nga mediat Partia Socialiste ka kërkuar kryetarin e këtij komisioni parlamentar duke qenë se është ajo iniciatorja e këtij propozimi, ndërsa PD-ja ka propozuar që ky komision të bëhet me dy bashkëkryetarë. Gjatë kësaj mbledhje e cila zgjati më shumë se një orë e 20-të minuta debati është përqendruar tek drejtimi i komisionit ad hoc.
Paraprakisht është rënë dakord që komisioni të ketë në përbërje të tij shtatë anëtarë, katër prej të cilëve të partisë demokratike ndërsa tre të partisë socialiste. Megjithatë numri i anëtarëve është i diskutueshëm që do të thotë se mund të përfaqësohen edhe subjekte të tjera politike. Pas debatit kryeparlamentaria Jozefina Topalli ka mbyllur mbledhjen duke kërkuar prej dy forcave që pasi të arrijnë në një marrëveshje do të rimblidhen. Ideja për ngritjen e një komisioni parlamentar Ad Hoc u propozua nga partia socialiste e cila e kërkoi këtë komision për të monitoruar procesin e pajisjes së shqiptarëve me kartë identiteti.