E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia sqaron funksionimin e Patrullave të Përgjithshme

Patrullat e Pergjithshme te policise

Tiranë, 24 Janar, 12:55, NOA - Policia e Tiranës, ka sqaruar dhe një herë funksionimin e Patrullave të Përgjithshme të policisë, duke bërë të ditur dhe kompetencat që kanë ata dhe se, ku qytetarët mund të ankohen për vendimet e tyre.

Sipas policisë, struktura e Patrullës së Përgjithshme, deri më tani ka ndryshuar  prezantimin dhe imazhin e shërbimit policor në Shqipëri, i cili do të jetë imazhi i ri i policisë, veprimi profesional, prezantimi etik në publik, integriteti moral e qytetar dhe qëndrimi human në sjelljen në detyrë, për të bërë sa më reale atë që publiku kërkon :

Patrulla e Përgjithshme në ndryshim nga shërbimet tradicionale të policisë është fuqi plotë në konstatimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve administrative në fushën e qarkullimit rrugor si dhe do të kryejë procedura të para të hetimit të krimit.

Aktiviteti dhe misioni i Patrullës së Përgjithshme, në fushën e kundërvajtjeve rrugore, bazuar në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm numër 1300 datë 21 gusht 2007, i cili citon ”Mënyrën e shqyrtimit dhe të evidentimit të kundërvajtjeve administrative në fushën e qarkullimit Rrugor”.

Komisioni i ngritur, do të shqyrtojë edhe ankimet (me shkrim), për cilat shprehet qytetari, ndaj masave administrative që ka vendosur punonjësi i policisë së patrullës së përgjithshme dhe punonjësi i policisë rrugore. Ankime në lidhje me :

Masat në lidhje me detyrimet për kryerjen e një veprimtarie të caktuar ose pezullimin e ndalimin e një veprimtarie të caktuar.

Masa në lidhje me automjetin (i cili mund të jetë i sekuestruar, konfiskuar, larguar apo bllokuar).

Masa në lidhje në tërheqjen e dokumenteve të qarkullimit, të lejes së drejtimit apo dhe targën.

Vendimet që merr komisioni për ankimet, do të evidentohen në një regjistër të veçantë si dhe do të përpilohen në dy kopje, ku njëra do t’i jepet qytetarit.

Për të gjitha kundërvajtjet e konstatuara që kryhen nga drejtuesit automjeteve me leje drejtimi nga një shtet i huaj është kompetencë dhe merret vendim nga Kryetari i Këshillit të Qarkut.

Për çdo vendim të formës së prerë të marrë nga Komisioni për kundërvajtjet me masa plotësuese si (tërheqje të dokumenteve të qarkullimit, të lejes së drejtimit, të targës, të pezullimit të lejes së qarkullimit dhe të heqjes së patentës), komisioni brenda 5 – ditëve do të njoftojë zyrtarisht Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Të gjitha shqyrtimet e kundërvajtjet administrative në fushën e qarkullimit rrugor do të bazohet në përputhje me ligjin numër 7697 datë 07.04.1993 ”Për kundërvajtjet administrativë” i ndryshuar dhe në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Ju bëjmë me dije se Patrulla e Përgjithshme në fokus të detyrave të saj do të ketë atributet e vënies së masave administrative kundër shkelësve të ligjit. Policia e Shtetit, po punon për t’u transformuar, në një organizatë policie me të vërtetë moderne, me bazë në komunitet dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj tij.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›