E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS-PD përpasin idetë në strategjitë për 4 vitet e ardhshme

24/04/2005  Partitë e mëdha premtojnë rritje të punësimit dhe të kujdesit shëndetësor

Arsimi, Shëndetësia, Strehimi dhe Turizmi, janë konsideruar si sektorët që PS dhe PD do t'i kenë në prioritet, në rast se do të fitojnë zgjedhjet. Ndërsa taksat dhe investimet janë kthyer në pikën më të debatueshme mes të dy forcave kryesore në politikën shqiptare. Socialistët janë të mendimit se me këtë ritëm taskash do të rriten investimet, duke sjellë si rriten e nivelit të jetesës, ashtu dhe të punësimit. Në të kundërt me këtë, demokratët kanë propozuar ulje të taksave, në 30 për qind dhe heqjen e tyre për tre vjet, për bizneset e reja. Në këtë mënyrë, PD shpreson në rritjen e numrit të bizneseve që paguajnë taksa, duke rritur kështu dhe nivelin e qarkullimit të parave. Kjo, për specialistët e PD-së, do të konkludojë në uljen e nivelit të punësimit në të zezë si dhe rritjen e numrit të të punësuarve.

Arsimi

Ndonëse në forma të ndryshme, si demokratët dhe socialistët kanë propozuar në skemat e tyre rritjen e nivelit të mësimdhënies. Madje, është theksuar se me investimet e parashikuara një klasë do të ketë nën 32 nxënës. Demokratët, për të rritur standardet premtojnë autonomi të plotë për sistemin paraunivrsitar dhe atë universitar. Ndërsa, rritja e pagave do të sjellë rritje të nivelit të mësimdhënies, pasi pedagogët do të jenë nën presionin e konkurrimit me privatin.

Socialistët, nga ana e tyre, kanë premtuar investime në infrastrukturë, si dhe rritje graduale të pagave. Sipas tyre, me rritjen e investimeve do të ketë dhe një rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe mësimarrjes. Në këtë aspekt, ministri Memushi është akuzuar shpesh prej socalistëve si dhe prej pedagogëve.

Strehimi

Socialistët kanë premtuar së fundi se për 4 vjet do të strehojnë 100 mijë familje në nevojë. Sipas parashikimit të socialistëve, nga viti 2005 deri në vitin 2009 do të ndërtohen 70 mijë apartamente për familjet në nevojë. Kjo nëpërmjet bashkëpunimit me firmat ndërtuese, si dhe me dhënien e kredive të lehtësuara. Për të arritur në këto standarde, krerët socialistë kanë premtuar rritjen me 50 për qind të financimit nga Buxheti i Shtetit për strehimin. Ndërsa nuk përjashtohen dhe investimet me kontribut të donatorëve të ndryshëm, si dhe lehtësirat për firmat ndërtuese në shkëmbim të apartamenteve. Këto premtime të socialistëve janë cilësuar të pabaza prej demokratëve. Prej tyre është theksuar se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit mes Pushtetit Vendor dhe firmave ndërtuese do të arrihet në uljen e numrit të të pastrehëve në Shqipëri. Sipas kësaj skeme do të arrihet në strehimin e 12 mijë familjeve, në vitet e para të qeverisjes, në rast se PD do të fitojë zgjedhjet. Në bazë të studimit të dhënë prej demokratëve, pushteti vendor do të sigurojë 1 mijë troje në tokë shtetërore në vit, për strehim dhe infrastrukturë që do t'u jepen firmave ndërtuese, në shkëmbim të apartamenteve për të pastrehët. Duke përdorur skemën, në të cilën operon tregu i ndërtimeve, firmat ndërutese do të japin deri në 30 për qind të apartamenteve në ndërtesat e tyre, në shkëmbim të truallit.

Prezantimi

Si demokratët dhe socialistët do të zyrtarizojnë strategjitë e tyre në përfundim të Kuvendit dhe Kongresit Elektoral. PD ka nisur dje punimet në Kuvend, ku ka deklaruar nisjen e fushatës elektorale. Ndërsa socialistët pritet që të zhvillojnë më 5 maj punimet e kongresit të radhës, ku veç kandidaturave do të shpallen dhe strategjitë.

Premtimet PD

Shëndetësia

Për shëndetësinë, është zgjerimi i paketës së sigurimeve shëndetësore. Duke pasur parasysh se një masë e madhe e popullsisë është e papunë, PD parashikon që sigurimi shëndetësor për të papunët, të mbulohet nga shteti. Strategjia parashikon rritjen e numrit për mjekët në 1 për një mijë banorë

Arsimi

Platforma e arsimit ka si synim që gjatë viteve të para të qeverisjes, të rritet numri i nxënësve që frekuentojnë arsimin e mesëm në masën 90 për qind. Parashikohet autonomi në sistemin shkollor parauniversitar. Premtohet hartimi i kuadrit ligjor, që merr në konsideratë nevojat për arsimin e lartë.

Strehimi

Në programin për strehimin, parashikohet që vetëm në katër vitet e para të qeverisjes të strehohen rreth 12 mijë familje, një pjesë me banesa të siguruara nga shteti, dhe një pjesë tjetër me anë të kredive të buta. Do të të siguronim 1 mijë troje në vit, për strehim dhe infrastrukturë, prej Pushtetit Vendor

Turizmi

Për turizmin, specialistët janë të mendimit se ndërtimi i një aksi hekurudhor, Shëngjin-Kukës do të bëjë të mundur thithjen e tregut të Kosovës. Strategjia parashikon dhe ndërtimin e një aeroporti të ri në Rinas dhe lidhjen e tij më sërë aero-helioportesh lokale, që do të ndërtohen në Kukës, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër etj.

Premtimet e PS

Energjia

PS premton drita pa kufizim brenda vitit 2007 për të gjithë konsumatorët që pagujnë energjinë elektike. Ndërtimin e 8 veprave të mëdha energjetike brenda vitit 2015. Përmirësim të sistemeve të furnizimit të energjisë për të reduktuar rrjedhjet. Vënien në punë të burimeve alternative të energjisë.

Strehimi

Brenda katër viteve të ardhshme do të krijohen lehtësira për të përfituar rreth 70 mijë familje shqiptare apartamente banimi. Në program parashikohet ndërtimi i banesave sociale me qira, si dhe ndërtimi i tyre me kosto të ulët. Për këtë do të rritet financimi nga buxheti i shtetit në masën 50 për qind.

Shëndetësi

Rritja e kontributeve shëndetësore për të vazhduar reformimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Rritje të numrit të barnave, që do të rimbursohen nga shteti, përmirësim të infrastruktursë spitalore dhe rritje të pagave për mjekët. Nxitje të punës kërkuese dhe akandemike në institutet kërkimore.

Arsimi

Përmirësimi i infrastrukturës së sistemit arsimor si dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies. Ndërtim dhe rehabilitim të shkollave të sistemit parauniversitar dhe nëntëvjeçar, ku vetëm në Tiranë do të ndërtohen 7 shkolla dhe do të rehabilitohen 12 ekzistuese. Përafrim të legjislacionit të arsimit me atë të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›