E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e policit, "sherr" në gjyqin e bandës së Mirditës

 

TIRANE - Arjan Reçi, një prej personave të akuzuar si anëtarë të "Bandës së Mirditës", tregoi dje para gjykatës versionin e tij për ngjarjen e 9 vjetëve më parë në Rrëshen, ku u vra polici Gjon Pacuku. Në seancën e djeshme, gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për një ballafaqim mes të pandehurve Tom Gjoka dhe Bardhok Syziu. Sipas gjykatës, ballafaqimi nuk mund të kryhet, pasi versionet e paraqitura prej këtyre të pandehurve për ngjarjen janë krejtësisht të kundërta. Ndërsa i pandehuri Reçi tha dje se gjithçka kishte thënë Bardhok Syziu pak më parë ishte gënjeshtër. Sipas tij, ditën e ngjarjes ai kishte qenë tek ish-SMT e Rrëshenit, së bashku me të pandehurit e tjerë, me qëllim vjedhjen e disa pjesëve të një makine. "Kur u futëm brenda murit rrethues, Dritani dhe Nikolla shkuan të shikonin nëse kishte roje", tregoi Reçi. Por pas pak ai kishte vënë re një automjet që po i afrohej parkingut dhe ia kishte mbathur. Sipas tij, teksa ikte kishte dëgjuar edhe një shpërthim granate. Po atë natë ai ka shkuar te banesa e Nikollë Syziut në fshatin Malaj. Sipas Reçit, kur e kishte pyetur Nikollë Syziut se çfarë kishte ngjarë, ky i fundit i ishte përgjigjur: Lere, lere se bëri budallallëk Dritani, hodhi granatë dhe vrau Gjon Pacukun. Të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen nga prokuroria si autorë të një ngjarjeje që përfundoi me një polic të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur.                       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›