E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në komunën e Dajçit: “Situata është në buzë të katastrofës”

Kryeministri u bën apel banorëve të evakuohen
Eljona Ballhysa

Kryeministri Berisha e ka cilësuar situatën në Veri të vendit në buzë të katastrofës si pasojë e përmbytjeve. Ai u ka bërë apel banorëve të zonës që të evakuohen duke braktisur shtëpitë që ndodhen në prag përmbytjeje. Kryeministri e ka bërë këtë deklaratë gjatë inspektimit që bëri dje në zonën e përmbytur në komunën Dajç të qarkut Shkodër. Kreu i qeverisë, ndërsa vlerësoi menaxhimin e suksesshëm të situatës, theksoi se gjendja e rrezikut nuk është kapërcyer ende dhe se banorët e zonës duhet të evakuohen. “Realisht jemi në buzë të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik. Kjo është e vërteta”, - është shprehur Berisha, ndërsa duke iu referuar parashikimeve të motit, tha se reshjet e shiut do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme.
Apeli
Kreu i qeverisë përsëriti dhe njëherë apelin e tij drejtuar të gjithë banorëve që gjenden në rrezik që të lënë shtëpitë e tyre dhe të pranojnë ndihmën e shtetit duke u strehuar në vendbanime të sigurta. “Detyra dhe apeli është që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Të fillohet lagje më lagje dhe të bëjmë evakuimin maksimal të njerëzve. Duhet ta zvogëlojmë të keqen, duhet t’i dalim përpara”, - është shprehur Berisha gjatë inspektimit të zonave të prekura nga përmbytjet. Kryeministri Berisha inspektoi edhe zonën e përmbytur dhe argjinaturën e lumit Bunë dhe më pas zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencës të Prefekturës Shkodër dhe drejtues të komunës. Në takim morën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli dhe deputetë të zonës. Ndërsa në takimin me banorët e komunës së Dajçit, Berisha i këshilloi ata që të evakuojnë shtëpitë për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Kryeministri u shprehu gatishmërinë e qeverisë për t’u ofruar çdo ndihmë për kapërcimin e kësaj situate. Sikundër i siguroi se pasi të dilet nga kjo situatë, qeveria do të japë të gjithë mbështetjen për ripërtëritjen e zonës.

Ndihma
“Unë ju garantoj me gjithë vullnetin tonë të hekurt për t’ju siguruar çdo lloj ndihme. Në qoftë se situata që pamë atje sipër shtrihet edhe më gjerë, ajo do të bëhet e pamundur, sepse krijohen shumë probleme. Ndaj, pa humbur kohë të fillojë evakuimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve, të fillohet evakuimi i gjësë së gjallë. Komuna të krijojë grupe çobanësh, që do t’i paguajmë në, që të marrin në mbikëqyrje gjënë e gjallë, lopë, të imta, të gjitha, t’i marrin dhe të dalin në komuna të tjera, ku nuk ka rrezik përmbytjeje. Ne duhet të zvogëlojmë maksimalisht dëmet”, - është shprehur Berisha, ndërsa premtoi që pas kapërcimit të kësaj situate qeveria do t’i ndihmojë banorët e këtyre zonave. “Të kalojmë situatën dhe qeveria i ndihmon dhe ka të gjitha mundësitë. Qeveria i garanton fermerët e Ana Malit dhe të Dajçit se do t’i ndihmojë, do t’i zhdëmtojë, por, në radhë të parë, duhet të ndihmojmë veten. Nuk rrihet kështu, është situatë buzë katastrofe”, - është shprehur Berisha. Ai bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme në Fierzë u bllokua derdhja e kaskadës, por në rast se prurjet ujore do të rritet, atëherë qeveria është e detyruar të hapë portat. Berisha tha se situata është e paparashikueshme. “Alpet janë mbushur me borë dhe sinoptika thotë se pas tri ditësh do të ngrohet moti, çka do të thotë të shkrihet bora. Gjadri është krejtësisht tjetër nga ai që ishte dje. Po kështu Kiri dhe të tjerë me radhë. Ne duhet të bëjmë atë që njerëzit e mençur, njerëzit e qytetëruar, njerëzit e guximshëm bëjnë, të marrin vendimin dhe t’i dalin së keqes përpara dhe të zvogëlojnë në maksimum dëmet e kësaj përmbytjeje”, - është shprehur Berisha.

Topalli ndjek nga afër situatën në fshatrat e dëmtuara nga përmbytjet

Kryetarja e Kuvendit ndoqi sërish dje nga afër situatën fshat më fshat në komunat e prekura nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës. Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga deputetët e qytetit, ka takuar banorët e këtyre zonave ku konfirmoi se i gjithë shteti, në nivel qendror e lokal, është në gatishmëri të plotë orë pas ore në mbështetje dhe ndihmë të tyre. Gjatë bisedave me banorët e fshatrave, zonja Topalli u kërkoi atyre mirëkuptim për të bashkëpunuar me forcat e Ushtrisë dhe të Policisë për një zbatim sa më efikas të planit të evakuimit në orët në vijim.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›