E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Procesi i pajisjes me karta, i dështuar, qeveria të ofrojë zgjidhje

Nga L.Progni

Votimi me certifikata duket se do të jetë një kërkesë e mundshme e PS javët në vazhdim. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, tha dje se qeveria ka dështuar në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe për pasojë nuk mund të kufizojë qytetarët të votojnë vetëm me pasaportë ose me kartë identiteti. Ai tha dje se PS nuk do të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak se qytetarët nuk mund të pajisen të gjithë me karta identiteti, por nuk do të pranojë njëkohësisht as vendimin e prerë të qeverisë për të respektuar atë pikë të Kodit Zgjedhor, në të cilën parashikohet që qytetarët mund të votojnë vetëm me pasaportë ose me letërnjoftim. Në këtë qëndrim të ri të PS duket se po hapet rruga drejt një kërkese të re të socialistëve, atë të përdorimit të certifikatave në procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Ndërsa demokratët përjashtojnë kategorikisht çdo mundësi të përdorimit të certifikatave në zgjedhjet e 28 qershorit, madje ata shkojnë më tej, kur akuzojnë kryetarin e PS, Edi Rama, dhe partinë e tij se më 18 shkurt për zgjedhjet vendore në Tiranë u përdorën certifikata false për të mundësuar fitoren në këto zgjedhje.

Sekretari socialist për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, tha dje se edhe kartat e identitetit janë lehtësisht të falsifikueshme e të manipulueshme. Duke iu referuar emisionit investigativ “Fiks Fare”, Islami tha se ai provoi se kartat mund të lëshohen dhe në mënyrë abuzive dhe deklaroi se militantët e PD po i marrin këto karta. Ai la të hapur mundësinë e përdorimit të certifikatave, ndërsa burime pranë PS thonë se kërkesa për certifikata pritet të përforcohet si e tillë ditët në vazhdim. Kërkesa për përdorim të certifikatave në zgjedhje pritet të bëhet akoma më e fortë me afrimin e datës së zgjedhjeve, madje si një kusht për bllokim të procesit deri në plotësimin e kërkesës.

Kërcënimi

Prej disa javësh socialistët kanë nisur kërcënimet se nuk do të njohin zgjedhjet, nëse do të ketë qoftë edhe më të voglën parregullsi në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Zyrtarët më të lartë të PS janë shprehur se nuk do të pranohen zgjedhjet, në qoftë se vetëm një qytetar mbetet pa kartë identiteti, dhe për pasojë pa votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, tha dje se zgjedhjet e lira e të ndershme janë në rrezik më shumë se çdo herë tjetër, duke iu referuar edhe një herë një kronike të emisionit “Fiks Fare”, ku bëhej fjalë për mundësi falsifikimi të kartës apo edhe dhënie falas të kuponëve për karta identiteti militantëve të PD.

“Militantë të PD shpërndajnë kuponë te militantët e PD, të cilët për më tepër kanë certifikata false. Kjo implikon rëndë shërbimin postar dhe zyrat e gjendjes civile, si dhe Ministrinë e Brendshme. I kërkojmë Prokurores së Përgjithshme të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast që nuk është i veçuar.

Nga faktet e mbrëmshme rezulton se letërnjoftimi është më lehtësisht i zotërueshëm në mënyrë jolegjitime dhe më lehtësisht i falsifikueshëm sesa certifikata e mëparshme.

Shifra e aplikimeve prej 353 mijë për votuesit pa pasaportë dhe ritmi prej rreth 60-70 mijë aplikime në çdo 10 ditë lejon të arrihet në përfundimin se deri më 12 qershor 2009 nuk mund të ketë më shumë se 450-460 mijë aplikime të votuesve pa pasaportë.

Pra, siç e kishim parashikuar, procesi rezultoi krejtësisht i dështuar, për shkak të mekanizmit të gabuar dhe të komplikuar të miratuar nga qeveria në mënyrë të njëanshme dhe që nuk mori në konsideratë as heqjen e taksës së votës dhe as propozimin për një mekanizëm të thjeshtë one stop shop.

Prandaj, edhe pas vendimeve të 1 majit 2009 procesi mbeti demotivues, i manipuluar nga shërbimi postar e strukturat vendore të drejtuara nga PD dhe selektiv nga sekserët e biznesmenët e PD që i pamë mbrëmë në “Fiks Fare”.

Për të mos abuzuar me listën e votuesve pa pasaportë që do të mbeten pa aplikuar, i kërkoj ministrit të vërë në dispozicion të Komisionit ad hoc dhe të OSBE/ODIHR listën e votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Për më tepër ky është detyrim i shkruar në VKM e datës 1 maj 2009. Kjo është kërkesa e parë publike, realizimi i së cilës duhet të monitorohet edhe nga OSBE/ODIHR.

Nga ana tjetër, deri tani kjo shifër e parashikuar nga ne nuk është pranuar asnjëherë, kurse tani që kjo bëhet fakt i kryer, qeveria po përpunon gënjeshtrën e madhe të radhës se mbi 300 mijë votues pa pasaportë prezentë në listën e votuesve janë emigrantë ilegalë ose një pjesë e tyre nuk dëshiron të votojë. Kjo është një gënjeshtër që kryeministri dhe ministrat e tij po shpërndajnë te ndërkombëtarët, ende jo zyrtarisht”, - tha Islami.

“PSSH përsërit nuk do ta lejojë këtë gjë. Nuk do të ketë zgjedhje farsë në Shqipëri. Kjo gjë duhet të hiqet nga mendja e Berishës që me veprimin ndaj zonjës Glover risolli në vëmendjen e publikut shqiptar dhe të partnerëve ndërkombëtarë fantazmat e mashtrimit të madh elektoral të vitit 1996”, - vijoi më tej Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›