Raporti: Emigrantët sollën më pak para për pushime
Emigrantët sollën më pak para edhe gjatë periudhës së pushimeve. Raporti i fundit i bankës së Shqipërisë tregon se shifra e prurjeve të valës nga jashtë është ulur me 6 për qind vetëm gjatë një tremujori. Bëhet fjalë për periudhën e verës, kur pritej që sasia e parave të shpenzuara nga emigrantët, edhe për kalimin e pushimeve, të ishte më e madhe. Kjo ishte një ndër arsyet që specialistët e ekonomisë parashikuan një shtrenjtim të euros në tregjet valutore. Shtrenjtim ky që i kaloi përmasat e parashikimeve duke ofruar një kurs këmbimi prej rreth 140 lekë për një euro. Por prurjet e emigrantëve janë problemi i vetëm për ekonominë shqiptare. "Transfertat korente neto u vlerësuan në 206 milionë euro me një rënie prej 24 milionë eurosh kundrejt një viti më parë. Rreth 188 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 6 për qind nga vlera prej 200 milionë eurosh e një viti më parë. Njëkohësisht, vihet re rënie në pozicionin suficit të transfertave dalëse të sektorëve të tjerë, si pasojë e rënies së transfertave hyrëse me 7 për qind dhe rritjes së transfertave dalëse me 8 për qind."TurizmiLlogaria e shërbimeve u mbyll me një suficit prej 88 milionë eurosh. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 81% dhe 78% të totalit. Bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një suficit prej rreth 91 milionë eurosh nga 94 milionë euro vlerësuar në tremujorin e tretë të vitit 2008. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 543 milionë euro ose 40 për qind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2008. "Tremujori i tretë regjistroi një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve jo rezidentë që kanë vizituar Shqipërinë dhe rritje të shpenzimeve mesatare ditore ndërkohë që, koeficienti i ditë qëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë." Rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 453 milionë euro ose 54 për qind më shumë se një vit më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht rritja e numrit të udhëtarëve shqiptarë jashtë vendit, si edhe rritja e shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që nuk është shënuar ndryshim në koeficientin e vlerësuar për ditë qëndrimin mesatar.InstatNdërkohë që raporti i INSTAT për muajin nëntor flet për rritje të deficitit tregtar nga muaji në muaj. "Deficiti tregtar i këtij muaji është 28,205 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 5.2 për qind krahasuar me Nëntor 2008." Sipas shifrave në Nëntor 2009 u eksportuan 9,570 milionë lekë mallra, me ulje 0.8 për qind në krahasim me tetorin dhe rritje me 4.7 për qind në krahasim me nëntorin 2008. Nga ana tjetër u importuan 37,775 milionë lekë mallra me rritje 0.9 për qind në krahasim me tetor 2009 dhe ulje 2.9 për qind në krahasim me nëntor 2008.