E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSU, lista e ilaçeve bazë do afishohet në pavijone

 Brenda muajit mars në të gjitha pavijonet e spitalit "Nënë Tereza" do të afishohen listat e ilaçeve bazë që disponon spitali. Këtë bën me dije drejtoria e këtij spitali. Sipas drejtuesve të tij, kjo mënyrë e re do sjellë transparencë më të madhe ndaj pacientëve, e mbi të gjitha shmangie të abuzimeve. Gjithçka do të vihet në zbatim menjëherë pas hyrjes në fuqi të skemës së re të rimbursimit dhe furnizimeve të farmacisë qendrore. "Objektivi ynë kryesor, siç jua thashë, për vitin 2010 është planifikimi sa më i mirë, i cili do t'i shërbejë identifikimit të nevojave reale të shërbimeve sipas prioriteteve që vetë ata do të vënë. Kjo do të realizohet në mënyrë të tillë, që ilaçet për funksionimin normal të jenë në vazhdimësi dhe për pacientin të bëhet e qartë që kjo gamë ekziston", ka deklaruar disa ditë më parë Drejtori i QSU, Ilir Dashi. Sipas tij, në këtë kuadër do të realizohet një ndërhyrje e shpejtë për informatizimin e farmacive të spitalit, nga farmacia qendrore deri tek përdoruesi. "Afishimi i ilaçeve bazë është një mënyrë mjaft efikase që ndihmon në të njëjtën kohë edhe mjekët dhe pacientët. Pra, QSU disponon këtë gamë medikamentesh dhe çdo i sëmurë sheh listën e tyre. është një skemë krejt e re dhe do të thosha revolucionare dhe është shumë e rëndësishme për të gjithë ata që marrin trajtim mjekësor këtu", është shprehur Dashi. Sipas tij, deri tani ajo çfarë ka munguar ka qenë pikërisht komunikimi me pacientin. "Duke arritur këtë, ne i japim një fytyrë krejt të re shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, për pacientët kemi planifikuar edhe ambiente të veçanta dhe forma komunikimi më direkt për ankesat e tyre", ka theksuar Drejtori i QSU. Nga sa ka premtuar ai në spitalin më të madh në vend nuk do të ketë tolerancë për të gjitha rastet abuzive." Për çdo rast kur do të kemi sinjalizime se bluzat e bardha apo personeli i mesëm merr para nën dorë, toleranca do të jetë zero. Largimi nga puna do të jetë i menjëhershëm. Gjithashtu, në vitin në vazhdim do të aktivizojmë edhe instrumente më të ashpra kontrolli", ka  nënvizuar Drejtori i Spitalit "Nënë Tereza".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›