E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Prokuroria të hetojë vjedhjet në KESH

Nënsekretari i programit në PS, Ilir Beqja, deklaroi dje se gjatë muajit mars qytetarët shqiptarë janë vjedhur në mënyrë masive nga Korporata Elektroenergjetike. "Shumë familje shqiptare janë njohur me faturat e energjisë elektrike për muajin mars 2008", tha Beqja. Sipas këtyre faturave, sqaroi ai, çmimet e reja të energjisë elektrike kanë filluar të zbatohen jo sipas vendimit të ERE, që nga data 1 mars 2008, por nga data (sipas një fature konkrete në 11 shkurt 2008) të gjysmës së parë të shkurtit 2008. "Po sipas këtyre faturave, periudha e faturimit nuk është 30 ditë, por 36 ditë, duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovatë në muaj", u shpreh Beqja. PS vlerëson se ky veprim i ri është në vazhdën e veprimeve korruptive dhe abuzive, që KESH ka instaluar në këta 32 muaj. "Për rritjen fiktive të rezultateve të vitit 2007, KESH në muajin dhjetor faturoi jo për 30 ditë, por për 42 ditë, duke i detyruar familjet shqiptare të paguajnë jo për 365 ditë në vit, por për 377 ditë. Kështu, KESH rriti artificialisht me 3.3 për qind performancën e vitit 2007", argumentoi Beqja. Partia Socialiste kërkon që qeveria shqiptare të ndërpresë çdo lloj reformë të re të mundshme të çmimit të energjisë, nëse nuk siguron një reformim të plotë të KESH, përfundim sa më parë të instalimit të matësve, transparencë të procesit të faturimit. "Kërkojmë sot që Enti Rregullator i Energjisë të garantojë zbatimin e përpiktë të vendimeve të tij dhe jo si deri më sot të përkëdhelë KESH, të shtyjë afate apo të vendosë gjoba simbolike", u shpreh Beqja. Ndërsa përfshiu në listën e kërkesave edhe institucionin e prokurorisë që duhet të fillojë kryesisht hetimin e kësaj vjedhjeje shtetërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›