E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Prokuroria të veprojë për Bashën, Olldashin e Mediun

TIRANE- Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Sajmir Tahiri i ka kërkuar prokurorisë të mos heshtë më, dhe të nisë hetimet për dosjet e ministrave Basha, Mediu dhe Olldashi.

Sipas Tahirit, shembja e tunelit të Kalimashit rëndon mbi këtë qeveri. Pas deputetëve të PS, është radha e Prokurorisë të shkojë në Tunelin e Thirrës, të mbledhë faktet, të hetojë ngjarjen e të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit kryesorë.

“Shembja e Tunelit të Kalimashit në rrugën e kombit e njëkohësisht korrupsionin më të madh të familjes, është skandali më i fundit që rëndon mbi këtë qeveri po aq sa rëndon edhe kosto e shtuar që duhet të paguajnë qytetarët për ndreqjen e saj, vetëm sepse Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij vendosën të abuzonin me detyrën publike për të kataloguar një tjetër inaugurim elektoral.”

Deputeti socialist vijon akuzat për ministrin Mediu, duke e akuzuar atë për tragjedinë e Gërdecit.
“Fatmir Mediu hodhi në erë një qytezë të tërë duke lënë pas 26 viktima të pafajshme e miliona euro dëm, e sot krekoset si ministër megjithëse duhet të ishte përpara organeve të drejtësisë”, shprehet Tahiri.

Akuzat për ministrin Lulëzim Basha lidhen përsëri me rrugën Durrës-Kukës. Tahiri pohon se, “Lulzim Basha duhet të ishte përpara drejtësisë për vjedhjen e miliona eurove të faktuara në investimin e kësaj rruge, ndërkohë që vazhdon të krekoset në karrigen e ministrit të brendshëm. Po kështu Sokol Olldashi, meriton të vihet përpara përgjegjësisë ligjore njëlloj si kolegu i tij.”

Për këtë arsye i bëhet thirrje prokurorisë që, dosjet skandaloze të korrupsionit galopant të kësaj qeverie të mos arkivohen në sirtarët e Prokurorisë.
“Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë të rihapë menjëherë dosjen Durrës-Kukës, të kërkojë heqjen e imunitetit e të marrë para përgjegjësisë penale shtetasin Lulzim Basha e Sokol Olldashi për korrupsionin gjoja patriotik të kësaj rruge si dhe të nisë hetimet e menjëhershme për shembjen e tunelit të Thirrës duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse”, përfundon Tahiri.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›