PS: Punësimi në krizë, Berisha nuk e mbajti premtimin

Tiranë, 3 Shkurt NOA - Një nga problemet
thelbësore me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët, është punësimi.
Premtimet për uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos
gjatë fushatave elektorale, bëhen gjithmonë e më të shpeshta.
Në kushtet kur Shqipëria, përveçse e zhytur në
një krizë politike, përballet dhe me një krizë të thellë ekonomike, ku çmimet
janë rritur, monedha vendase është nënçmuar, disa nga shërbimet bazë si energjia
elektrike është shtrenjtuar.
Këto fakte kanë bërë që Partia Socialiste të shtrojë
sot pyetjen se çfarë po ndodh me punësimin.
Mimi Kodheli, deputete e PS, në një dalje për
mediat sot pas mesdite, kujtoi faktin se Sali Berisha u premtoi shqiptarëve
gjatë fushatës së fundit zgjedhore krijimin e 160 mijë vendeve të reja të
punës, e cila mesatarisht do të thotë 40 mijë vende të reja pune çdo vit. Në të
njëjtën kohë, - tha Kodheli, - Berisha ka mohuar ekzistencën e krizës
ekonomike, madje ka pohuar se ekonomia e vendit është premtuese dhe se gjatë
vitit 2010 nuk do të ketë asnjë pasojë negative mbi ekonominë shqiptare.
Kodheli kujtoi se sipas premtimit të Berishës,
gjatë gjashtëmujorit të parë të qeverisjes së tij, duhet të ishin hapur 20 mijë
vende të reja pune.
Por në të vërtetë, - tha ajo, - ka ndodhur
krejt e kundërta: Në periudhën shtator - shkurt, jo vetëm që punësimi nuk
është rritur me 20 mijë vende të reja punë, por në realitet, të dhënat tregojnë
se punësimi u zvogëlua me 2,300 vende pune.
Në këtë pikë, Kodheli theksoi se ekonomia
është në krizë dhe fatkeqësisht këtë krizë që po e ndiejnë në kurriz të gjithë
shqiptarët, krizë të cilën qeveria Berisha refuzon ta pranojë, njësoj si krizën
politike, këtë krizë shumëdimensionale që ka përfshirë thellësisht vendin.
Shqiptarët sot janë më të varfër dhe më të
papunë dhe kjo është vetëm pasojë e keqqeverisjes se Sali Berishës, akuzoi
Kodheli.
e.r/NOA