E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria blen ilaçe vetëm për zgjedhje

"I gjithë opinioni publik ndjek prej muajsh me shqetësim situatën dramatike dhe kaotike të furnizimit me barna në spitalet e vendit. Përballë kësaj situate të papranueshme, shqiptarët duhet të dëgjojnë deklarimet e ministres së Shëndetësisë se barnat do të mbërrijnë vetëm në qershor, kur të realizohen tenderat. Por, kjo ministre pati deklaruar verën e kaluar që furnizimi me barna do të zgjidhej që në tetor 2008. Qeveria jonë është e vetmja qeveri në botë që edhe furnizimin me barna e bën vetëm gjatë fushatës elektorale". Kështu ka deklaruar dje Ilir Beqja, nënsekretar i PS-së për Programin. Sipas tij, ka 45 muaj që shqiptarëve u kërkohet të mos sëmuren derisa të mbarojnë tenderat. Janë ndërruar ministrat, por nuk është rregulluar asgjë. Edhe kur ministri ka qenë politikan, edhe kur ka qenë profesionist i mjekësisë. Edhe kur ka qenë i mandatuar nga Partia Demokratike, edhe kur ka qenë i mandatuar nga partitë aleate me PD. "Kjo tregon se problemi nuk janë ministrat. Problemi është mungesa e vizionit për të reformuar shëndetësinë. Problemi është mungesa e instrumentit të duhur politik, pra e programit. Këtyre problemeve i shtohet edhe paaftësia dhe papërgjegjshmëria e Kryeministrit të vendit", theksoi Beqja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›