Rikthehet gripi, çdo ditë mbi 30 fëmijë në pediatri
Temperaturat e ulëta, që përfshin ditët e fundit qytetin e Beratit, kanë rritur ndjeshëm numrin e rasteve me virozat e gripit. Mjekët e familjeve, pranë qendrave shëndetësore deklarojnë se çdo ditë përballen me një fluks në rritje të të prekurve nga gripi. Në repartin e pediatrisë pranë spitalit të qytetit, mjekët pohojnë se janë duke u përballur me një numër në rritje të pacientëve të vegjël, kryesisht të moshave të vogla, deri në 15 vjeç. Vetëm gjatë javës që shkoi 200 fëmijë kanë marrë ndihmën mjekësore pranë këtij reparti, ndërkohë që çdo ditë paraqiten mbi 30 raste. "Ditët e fundit, si rezultat i rikthimit të temperaturave të ulëta është shtuar ndjeshëm numri i të prekurve nga virozat e stinës. Më të predispozuar për t‘u prekur janë fëmijët e vegjël, sidomos ata që shkojnë në kopshte, çerdhe e shkolla. Qëndrimi i tyre në kolektiva, lehtëson përhapjen e virusit dhe prekjen më lehtë të këtij kontingjenti fëmijësh", sqaron mjeku Jashar Buba, shefi i pavijonit të pediatrisë në spitalin e qytetit. Për rastet e paraqitura në spital, mjeku sqaron se pasi kanë marrë ndihmën e parë janë larguar për në shtëpi, por nuk kanë munguar dhe rastet e komplikacioneve, që kanë kërkuar trajtim spitalor. Pacientët paraqiten me: temperaturë së lartë, dhimbje koke, humbje rezistence. Për parandalimin e virozave të gripit, mjekët rekomandojnë qëndrimin në shtëpi, duke iu shmangur kështu në maksimum kontaktit me ajrin e ftohtë, konsumimin e lëngjeve, që përmbajnë vitaminë C dhe qëndrimin në ambiente në ngrohta. Në rastet e shfaqjes së komplikacioneve, mjekët rekomandojnë që të sëmurët të paraqiten menjëherë pranë qendrave shëndetësore, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor.