E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria dështoi për liberalizimin e vizave

PS ka thënë se Shqiptarët kanë humbur shansin për të shfrytëzuar politikën e Cekisë, e cila ka si përparësi kryesore liberalizimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Arta Dade është shprehur se Shqipëria ndodhet në një stad me Bosnjën. 

TIRANE- Partia Socialiste ka deklaruar sot se qeveria ka dështuar në lidhje me premtimin për liberalizimin e vizave. Në një konferencë për gazetarët, Arta Dade ka thënë se Shqiptarët kanë humbur shansin më të mirë për të shfrytëzuar politikën e cekisë e cila kishte si përparësi kryesore liberalizimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera Dade është shprehur se vendi ynë është në një stad të njëjtë me Bosnjë- Hercegovinën e cila është një vend me një problematikë shumë komplekse.
“Më lejoni të bëj me dije për opinionin publik, se qeveria sikurse ka dështuar në të gjitha premtimet elektorale që i ka paraqitur shtetasve shqiptarë edhe për lehtësimin apo liberalizimin e vizave rezulton e dështuar. Më lejoni të kujtoj, që në 2006 ministrja e integrimit premtoi që brenda 2006 do të ketë liberalizim vizash me BE dhe me vendet përkatëse të këtij bashkimi”- ka thënë Dade përpara mediave.
Partia Socialiste shpreh me bindje se edhe këtë vit nuk do të jetë i mundur realizimi i procesit për liberalizimin e vizave. Madje ky proces është konsideruar si flluskë sapuni, si mashtrimin e radhës nga ana e maxhorancës.
“Maxhoranca është e qartë që, Shqipëria nuk i ka përmbushur standardet, sepse raporti është hartuar mbi bazën e raportimeve të vendeve përkatëse”-ka vazhduar më tej Dade.
Ajo ka komentuar spotit televiziv, që qeveria ka bërë për sa i përket angazhimeve për fushatën elektorale, Dade ka thënë nga selia rozë se shqiptarët më mirë se kushdo tjetër e kanë të qartë se çfarë është bërë vetëm për lehtësimin e procedurave dhe barrierave për marrjen e vizave, sepse rradhët e gjata vazhdojnë të mbeten të pranishme në ambasadat dhe konsullatat e vendeve të BE. “Pra nuk e di a ka ndonjë datë qeveria tashmë dhe sesi do të japi llogari përpara atyre që e kanë zgjedhur dhe që i kanë dhënë mandatin për të qeverisur në prag të kësaj fushate”-ka thënë Dade.

(e.n/ Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›