PS: Qeveria është e paaftë të luftojë krimin e organizuar
Partia Socialiste deklaron se qeveria është e paaftë për të luftuar krimin e organizuar në Shqipëri. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, ka komentuar dje Raportin e fundit Vjetor të Europolit lidhur me krimin e organizuar, ku Shqipëria përmendet për një ecuri negative në lidhje me këtë çështje. Duke iu referuar këtij raporti, Gjoni tha se konstatohet se grupet kriminale shqiptare kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre duke u përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së kokainës, në grumbullimin dhe shpërndarjen e heroinës në BE, në rritjen e veprimtarisë trafikuese të personave për punë të detyruar, si dhe në trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime seksuale.
Gjoni tha se gjithçka që përmendet në këtë raport është një pasqyrë e problemeve që vendi ynë ka përjetuar prej kohësh. Deputeti socialist tha se qeveria aktuale është e paaftë të ndërtojë një strategji të qartë për të luftuar krimin e organizuar. “Partia Socialiste denoncon paaftësinë e qeverisë, por ajo çka është më e pafalshmja, mungesën e vullnetit për të ndërtuar strategji dhe zhvilluar një luftë pa kompromis ndaj këtij rreziku që kanos demokracinë dhe institucionet demokratike në Shqipëri dhe e konsideron atë si një pengesë serioze drejt realizimit të aspiratave të popullit shqiptar për t’iu bashkuar familjes europiane. Edhe mospranimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë para dy ditësh nga ministrat e Jashtëm të BE-së për të konsideruar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë është sinjal alarmi për shqiptarët dhe sidomos për qeverinë. PS-ja me këtë rast dëshiron t'u tregojë edhe një herë shqiptarëve se nuk është opozita dhe lufta e saj në mbrojtje të një të drejte të patjetërsueshme, siç është e drejta e lirisë së votës ajo që po pengon dhe po vonon integrimin e Shqipërisë në strukturat e BE-së dhe sidomos për heqjen e vizave, por kjo qeveri, e cila çdo ditë keqpërdoron rrugën europiane të Shqipërisë dhe që nga ana tjetër është kapur nga krimi i organizuar, korrupsioni qeveritar e familjar.
Opozita shqiptare dhe Partia Socialiste i thotë Sali Berishës dhe qeverisë së tij se ajo gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet në mbështetje të aspiratës së Shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Por ne i themi Sali Berishës: Lufto krimin e organizuar! Lufto korrupsionin! Lufto kriminelët që nxore për të vjedhur votat! Hiq dorë nga strategjia INVISO! (nga presioni dhe dhuna). Hiq dorë nga strategjia INLE! (nga ndërhyrjet në institucionet ligjzbatuese dhe gjykatat) dhe hiq dorë nga strategjia INSO! (nga influencimi për interesa vetjake i ekonomisë dhe shoqërisë) dhe atëherë shqiptarët do të integrohen e udhëtojnë lirshëm në BE”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni.
29 Tetor 2009