Topi: “Gratë nuk po përfaqësohen sa duhet në vendimmarrje”
Kreu i shtetit kritikon politikën për mosrespektim të barazisë gjinore në institucione. Presidenti flet edhe për skandalin në Dibër: “Është e pafalshme për të gjithë ne”
Shaban Sulçe
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaron se politika shqiptare nuk po respekton barazinë gjinore. Sipas numrit 1 të shtetit shqiptar, gratë nuk janë përfaqësuar në nivelin e duhur në institucionet vendimmarrëse. Këto deklarata, Presidenti i Republikës i dha dje në Konferencën Kombëtare me temë “Fuqizimi i grave në Shqipëri – strategji për zhvillim gjithëpërfshirës”, të organizuar në mjediset e Hotel Tirana International nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëpunim me shoqatën e grave “Refleksione”, e përfaqësuar nga zonja Vjollca Meçe. Në këtë veprimtari ishin të pranishme dhe zëvendësministrja e Integrimit, Jorida Tabaku, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoni, deputetja dhe përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe përfaqësuese të shoqatave të grave dhe të misioneve në mbrojtje të të drejtave të tyre në vendin tonë.
Përfaqësimi
Presidenti i Republikës tha se pjesëmarrja e grave në institucione është tejet e vakët. Topi tha se dimensioni që ka gruaja shqiptare në familje dhe në shoqëri nuk vazhdon me të njëjtin ritëm në politikë. “Është familja, është shoqëria që prodhon politikën. Është shoqëria që prodhon politikanët. Është shoqëria që i ka zgjedhur dhe që pret që politika të realizojë pikërisht ato projekte, për të cilat është votuar. Pra dimensioni i gruas fillon në familje, fillon me atë proces edukativ, vazhdon në shoqëri, por, për fat të keq, nuk vazhdon me të njëjtin ritëm në politikë. Kjo është arsyeja që ne sot diskutojmë që pjesëmarrja e grave në politikë dhe në institucione është e vakët. E kam thënë me zë të lartë dhe në mënyrë të hapur, do ta them edhe sot: në momentin që vendos një shifër, tregon që nuk je angazhuar për të shkuar pikërisht tek ai që quhet barazia gjinore. Kam qenë gjithmonë kundër vendosjes së shifrave në kodet elektorale, të cilat, në fazën përgatitore janë respektuar me fjalë, ndërsa në fazën finale, kuptohet që ato shifra nuk janë të realizuara. Kjo do të thotë që të gjithë, pa përjashtim, në këtë strategji gjithëpërfshirëse për zhvillim duhet ta trajtojmë rastin e barazisë gjinore si një element substancial të zhvillimeve politike dhe institucionale të Shqipërisë. Unë mendoj që ai që flet dhe ka shansin të flasë dhe në emër të institucioneve duhet patjetër që fjalët të mos i ndajë nga ato që realizon dhe ka mundësi t’i realizojë. Pra kemi një aspekt të mungesës së, ose të pamjaftueshmërisë së promovimit për të arritur ekuivalencën. Por ka dhe një element tjetër: edhe aty ku janë promovuar gratë, madje, zonja Leskaj dhe në sistemin e Drejtësisë, janë promovuar në raporte ekzaktësisht ekuivalente. Janë promovuar meshkuj, janë promovuar gra. Do të thosha që vështirësitë nuk janë ndërprerë. Ju e keni parë që në institucionet delikate, gratë që janë përfaqësuese të këtyre institucioneve, vërtetë kanë vështirësitë e veta sikurse ka çdo institucion tjetër, por ka nevojë dhe për një lloj mbështetje shoqërore, sepse problemet në Shqipëri natyrisht janë edhe pak delikate në sensin e debatit politik dhe të paragjykimeve”, - u shpreh Presidenti i Republikës.
Skandali në Dibër
Kreu i shtetit shqiptar foli gjithashtu edhe për skandalin e ndodhur në rrethin e Dibrës, ku dy motra janë mbajtur të lidhura me zinxhir. Topi tha se një rast i tillë është i pafalshëm për të gjitha institucionet shqiptare. “Ne jemi në qendër të Tiranës, ku natyrisht, për shkak të specifikave, ka diferenca me pjesë të tjera të Shqipërisë. Shqipëria është një vend i vogël, por duhet dëgjuar më shumë zëri dhe sikurse thashë, vërtetë është një vend i vogël dhe ka mundësi për informacion. Vërtetë kanë shumë promocione, shumë suksese, shumë realizime të pamohueshme, sepse ndryshe Shqipëria nuk do ishte vend i NATO-s, ndryshe nuk do të ishte në prag të asaj që presim të gjithë, në prag të Bashkimit Europian, por ndonjëherë situata bëhet dramatike sikurse e keni ndjekur të gjithë, rastin e dy grave në një fshat të Peshkopisë. Askush nuk mund të justifikohet me këtë duke filluar nga pushteti qendror, nga Presidenti, nga Ekzekutivi, nga pushteti lokal. Është e papranueshme, e papëlqyeshme”, - tha Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Leskaj: “Nëse aspirojmë integrimin, duhet të garantohet barazia gjinore”
Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se deri tani Shqipëria ka bërë shumë pak për barazinë gjinore. Leskaj, e pranishme në konferencë, theksoi se në rast se aspirojmë integrimin europian, në radhë të parë duhet të garantohet barazia gjinore. “Edhe pse vitet e fundit ka një sensibilitet më të lartë ndaj gruas, debati për barazinë gjinore ka mbetur përgjithësisht periferik, i nxitur e organizuar kryesisht nga grupimet e grave e ndonjëherë edhe nga media edhe pse nga perspektiva të ndryshme, kjo e fundit më shumë në kërkim të lajmit. Për fat të keq, politika kujtohet më 8 Mars, ose në fushata zgjedhore dhe në këto raste mënyra e trajtimit është më shumë përdoruese, sesa përfituese për gratë. Ka edhe një problem që lidhet me vizionin dhe mënyrën e trajtimit të problemit të barazisë gjinore, që shpesh janë të orientuar jo si një detyrim i shoqërisë, jo si një e drejtë njerëzore, por si një bamirësi apo favor që u bëhet grave. Pa dyshim që kjo nuk mund të jetë zgjidhja. Nëse sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspirante për në BE, i duhet një demokraci funksionale dhe një demokraci nuk mund të jetë funksionale me të drejta dhe barazi vetëm për gjysmën e shoqërisë. Çështja e barazisë gjinore nuk është një set ligjesh, qofshin ato edhe cilësore. Problemi më i madh lidhur me të mbetet zbatimi i ligjit dhe impakti në jetën e grave. Natyrisht që zbatimi i tij mbetet një sfidë për shoqërinë shqiptare, në radhë të parë për strukturat vendimmarrëse. A e kemi arritur ne këtë? Unë them që jo. Së pari kjo kërkon vullnet politik i cili zbulohet të paktën në dy hallka të dobëta: aktet nën ligjore dhe buxheti. Për fat të keq miratimi i ligjeve në parlament nuk është shoqëruar gjithmonë me aktet nën ligjore të nevojshme për zbatimin e tij dhe me faturën financiare”, - tha deputetja e PS-së Valentina Leskaj.
29 Tetor 2009