E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria, nga korrupsioni elektoral dhe votat e trafikuara

 

Partia Socialiste e konsideron qeverinë e re që nisi punën sot, pas betimit të anëtarëve të saj para Presidentit të Republikës, Bamir Topi, si “një qeveri e dalë nga deformimi i zgjedhjeve të 28 qershorit”. Deputetja e Partisë Socialiste. Olta Xhaçka në një deklaratë për shtyp dje nga selia e PS u shpreh se qeveria e re vetëm sa do të thellojë krizën në vend. “Kjo qeveri është shëmbëlltyra e deformimit të rëndë të moralit të politikës e të qeverisjes në Shqipëri dhe pushteti i saj, i prodhuar me manipulime e korrupsion elektoral nga Sali Berisha, si edhe me vota të trafikuara nga e majta në të djathtë nga Ilir Meta, është një pushtet që do të thellojë krizën e demokracisë, të shtetit të së drejtës e të ekonomisë së vendit, do të rrisë varfërinë e papunësinë”, tha deputetja e PS-së, Olta Xhaçka. Duke iu referuar ftesës së Kryeministrit Berisha për pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, Xhaçka tha se “hyrjen në Kuvend, jemi gati ta bëjmë që nesër nëqoftëse na jepet e drejta legjitime e demokratike të bëjmë transparencë të plotë për zgjedhjet e 28 qershorit, duke hapur kutitë e votimit përpara popullit shqiptar”. Përfaqësuesja e PS-së nuk la pa komentuar dje dhe bashkëpunimin qeverisës të LSI-së me PD-në. Xhaçka u shpreh dje pas zyrtarizimit të qeverisë “se Ilir Meta u betua se do të nxirrte në pension Sali Berishën dhe do të hiqte nga kurrizi i shqiptarëve qeverinë e Gërdecit, në fakt mbajti në punë Sali Berishën dhe hipi edhe vetë në kurrizin e shqiptarëve duke u bërë pjesë e qeverisë së Gërdecit”. Duke ripërsëritur kushtet e socialistëve për të lënë bojkotin, Xhaçka tha se kushtet e PS-së kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve dhe reformave që miratohen. “Sali Berisha kërkon që ne të hyjmë në Kuvend për të bërë reforma të mëdha, por ne do të hyjmë në Kuvend kur përmes pranimit të kërkesave tona të bindemi se reformat e mëdha të materializuara në ligje nuk janë copa letrash që hidhen tutje siç u hodh Ligji Zgjedhor ku shkruhet e zeza në të bardhë e drejta jonë e mohuar për të hapur kutitë e votimit. Sali Berisha kërkon që ne të hyjmë në Kuvend për të bërë opozitën e qeverisë së dytë të Gërdecit, por e sigurojmë atë vetë, bashkë me Ilir Metën, se opozitën do ta gjejnë përballë në çdo hap të tyre, përditë e më të vendosur për t’i dhënë fund shëmtirës që kjo qeveri të pandehurish e të kërkuarish mishëron në mes të Europës, duke u mohuar shqiptarëve zgjedhje të standardeve vërtet evropiane dhe duke i shkelur kundërshtarëve liritë e të drejtat e tyre themelore”, u shpreh Xhaçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›