Meta: Bojkoti i PD-së në 2001 ishte i justifikuar
Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në intervistën e parë televizive në postin e anëtarit të kabinetit qeveritar, në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, në Tv Klan tha se programi i LSI-së dhe ai i PD konvertojnë në shumë pika që lidhen me proceset integruese. Keni frikë se edhe ju mund të lodheni si zoti Mustafaj në postin tuaj?
Për mua është e rëndësishme që LSI t’i qëndrojë kësaj marrëveshjeje dhe do të bashkëpunoj me zotin Berisha për të realizuar angazhimet tona.
Ju mund të keni përplasje idesh, konceptesh, mes projektit tuaj dhe projektit të PD-së...?
Nuk ka arsye, që kur ka mendime të ndryshme të ketë përplasje. Edhe vetë zoti Berisha është i interesuar që kjo qeveri të jetë e suksesshme dhe beson se do të ketë konsensus nga kushdo dhe jo ta kthejmë këtë maxhorancë në terren përplasjesh. Kemi programe të reja dhe eksperienca më të mëdha për të shmangur çdo përplasje.
Kemi një çarje brenda LSI-së, pas vendimit për bashkëqeverisje me PD-në?
Nuk ka asnjë çarje.
Por janë 5 përfaqësues të lartë të LSI-së që kanë ikur?
LSI për këtë vendim që ka marrë ka bërë një konventë të hapur, me 800 delegatë, vendimi është votuar në sallë dhe ka pasur vetëm një votë e gjysmë kundër, ajo e zotit Klosi. Zoti Xhufi ishte gjysmë vote kundër, sepse tha se zgjidhja e vetme për të bashkëpunuar me PD-në, ishte votimi i qeverisë, por jo të hynim në qeveri. Nuk ka asnjë forcë, që edhe e mbështet, dhe nuk merr pjesë në një qeveri. Ne kemi shumë kapacitete për t’u angazhuar në këtë qeveri. Zoti Xhufi tha madje që të na kërkojnë ambasadorët për t’u bashkuar me zotin Berisha. Ne nuk jemi vend protektorat, por kemi përgjegjësinë tonë për të marrë një vendimmarrje. Ne jemi konsultuar me shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Përse nuk qëndruat brenda të majtës, për ta reformuar atë pa Ramën?
Ju kërkoni që ne ta bënim rrëmujë Shqipërinë sepse përsëri nuk kishim mundësi të bënim qeveri dhe të ishim stabël.
Ju u angazhuat për më shumë deputetë dhe morët katër, ndërsa hyrja në qeveri u konsiderua fitore. Ju do të jepni dorëheqjen për këtë rezultat?
Në zgjedhje elektorati i LSI ka pasur një presion të madh nga PS. PS na detyroi të futeshim në grevë urie për Kodin Zgjedhor, një kod që kërkonte eliminimin e LSI-së dhe partive të tjera.
Do të jepni dorëheqjen tuaj për shkak të rezultatit?
Do ta rivlerësoj postin e kryetarit dhe këtë do ta vendosin forumet. LSI i bëri një shërbim shumë të madh vendit se arriti të qetësonte situatën politike në vend, që ishte shumë e acaruar pas 28 qershorit.
Pse nuk hapen kutitë e votimit?
Nuk jam fuqiplotë që të jap të drejtë. Ka institucione që japin këtë vendim. Le të vijë në Parlament dhe të kërkojë hetimin e kutive të votimit. Unë nuk kam prova se nuk kisha numërues, PS ka qenë e kompletuar me komisionerë në të gjitha nivelet. Çështja e zgjedhjeve të 28 qershorit është një çështje e mbyllur. Nuk zgjidhen pretendimet në mënyrë qaramane, por mund të vish në Parlament dhe të ushtrosh të drejtën tënde kushtetuese.
Si gjykoni zhvillimet e fundit në PS, mendoni se do të ketë çarje të tjera në të?
Nuk ia lejoj vetes të hyj në punët e brendshme të PS-së. Të jesh i sigurt që zoti Berisha është më socialist se zoti Rama. Unë uroj që PS të bëjë një opozitë të fuqishme në Parlament, sepse sa më aktive të jetë opozita, edhe maxhoranca do jetë më e tendosur dhe më pak gabime do të bëjë në punën e saj.
Që nga marsi i ‘92 kemi katër bojkote të Parlamentit, tre nga PS dhe një nga PD. Sa të justifikuar janë këto?
PS ka pasur arsye të forta në ‘96 të bojkotojë Parlamentin.
Po në 2001, ishte i justifikuar bojkoti i PD-së?
Gabimi kryesor në 2001 ishte që u përdorën zgjedhjet në Dushk me një taktikë që kishte të bënte me marrjen e mandateve të pamerituara, që s’kishin të bënin me maxhorancën qeverisëse por kishin të bënin me çështjen e Presidentit. PD e ndoqi këtë çështje dhe ishte në të drejtën e saj, ku edhe komuniteti ndërkombëtar u pozicionua drejt, duke i dhënë asaj të drejtën të zgjidhte Presidentin. Unë e mora përgjegjësinë personalisht dhe dhashë dorëheqjen nga detyra që mbaja.
Ju para 10 vjetësh, si kryeministër keni shoqëruar zotin Berisha në polici. Do ta bënit sërish këtë gjë, nëse do të paraqitej rasti?
Ju doni të më ktheni mua 10 vjet prapa. Jo vetëm unë isha 10 vjet më i ri, por dhe vendi ishte 10 vjet prapa në të gjitha aspektet dhe të gjitha kushtet, dhe personazhet janë 10 vjet më të përmirësuar.
Angazhimi i qeverisë për liberalizimin e vizave është brenda 2010. Keni një datë, ndoshta dhe më të largët, kur shqiptarët do të shkojnë pa vizë në zonën Shengen?
Unë shpreh angazhimin që brenda vitit të ardhshëm, ne të liberalizojmë vizat dhe ky është një proces me të cilin do të njihemi vazhdimisht. Është e vështirë të jepet një datë e saktë, por ne kemi angazhimin për ta mbyllur këtë proces brenda 2010. Janë duke ecur mirë në kohë disa kushte teknike.