E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kurrë koalicion me Ilir Metën, deputetët që hyjnë në Kuvend, vetëpërjashtohen nga PS

 

Vlorë/ Qemal Biraku

Për mëse gjysmë ore në sallën e Pallatit të Kulturës, “Labëria”,disa anëtarë të PS-së kanë replikuar me Edi Ramën gjatë fjalës së tij, por që ka sjellë edhe reagimin e njerëzve pro tij. Shpesh-herë në sallë pati dhe debate, si dhe përplasje në përgjigjet që jepeshin nga të dy kandidatët, kryesisht nga persona që ishin pro dhe kundër Edi Ramës. Një prej pjesëtarëve në sallë ju drejtua Ramës duke i thënë se “ishte puna e dobët e juaja dhe e partisë, që sot po vuajmë ne këto pasoja, duke na larguar dhe nga puna”. Kryesocialisti në detyrë, Rama, i është drejtuar me tone të ashpra duke i thënë të ulej se po prishte takimin, por i riu, rreth  moshës 30-vjeçare, vazhdoi ta kundërshtonte atë. Me tone të ashpra, Rama i thotë se “ti po vepron si rrugaç” dhe e urdhëron të dilte jashtë nga salla, por i riu nuk iu bind. Në debate e sipër konflikti vazhdoi në sallë midis disa personave dhe vetëm ndërhyrja e të tjerëve shmangu dhunën fizike mes tyre. Rama në vazhdim u shpreh se “partia duhet të pastrohet dhe nga llumi, si dhe nga rrugaçët si puna e këtij personi, i cili nuk ka vend në Partinë Socialiste, por duhet pasur kujdes, të mos flakim ujin e pistë që lahet fëmija, me fëmijën bashkë, partia duhet të pastrohet urgjent nga pisllëku dhe rrugaçët që mbajnë peng gjithë sallën burra dhe gra, të cilët kanë lënë punën e tyre për të ardhur në këtë takim”. Kreu i PS-së në fjalën e tij deklaroi se “Partia Socialiste, më 28 qershor mori nga populli shqiptar atë që meriton, votën, e cila u deformua nga kjo makineri, dhe u vu në pushtet nga mashtrimi dhe grabitja e votës së shqiptarëve prej Ilir Metës, i cili i fitoi votat duke u sjellë si armik i Berishës, dhe i përdori ato për të mbajtur Berishën në pushtet”.
Pyetjet ndaj Ramës
Kryesocialisti, në përgjigje të pyetjeve të dhëna, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LSI-në dhe ka deklaruar se deputetët që hyjnë në Kuvend, duke thyer vendimin e Kryesisë janë të vetpërjashtuar.
Në lidhje me largimet e socialistëve nga puna, Edi Rama tha se “për të ndalur fushatën e spastrimit nga puna të anëtarëve dhe simpatizantëve socialistë, ne duhet të jemi të bashkuar për të realizuar zgjedhje të parakohshme”.
Si mendoni në lidhje me hyrjen në Parlament si kërkesë e ndërkombëtarëve?
Unë, ashtu si dhe kam qenë deri tani, jam kundër hyrjes në parlament, nuk mund të bashkohemi me Sali Berishën. Nuk mund të bashkohemi me krimet që ka bërë Berisha dhe njerëzit e tij, nuk mund të hyjmë pa u hapur kutitë, le t’i hapi kutitë dhe ne do shohim më pas pozicionin tonë për të hyrë në Parlament. Ne do t’i mbrojmë socialistët deri në fund, do të mbrojmë shumicën e shqiptarëve që na votuan, pavarësisht se i vodhi Sala. Përsa i përket ndërkombëtarëve, ata kanë punën e tyre kërkojnë të zbatohet demokracia dhe standardet, ne kemi punën tonë, ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit dhe pastaj futemi në Parlament, kaq duam ne, s’duam më shumë.
Si do të realizohen zgjedhjet e parakohshme?
Që të realizohen zgjedhje të parakohshme, ne duhet të bëjmë rezistencë me të gjitha mjetet demokratike, rezistencë të fortë dhe të fuqishme, duke i treguar shqiptarëve se Sala u vodhi votat se ju na votuat, si dhe botës se Sala është një kriminel i procesit zgjedhor dhe ato duhet përsëritur shumë shpejt, për të çuar në vend vullnetin e lirë të shumicës të shqiptarëve që votuan Partinë Socialiste.
A duhet të bashkohet e majta për të fituar zgjedhjet?
Ne jemi të hapur për të gjithë ata që e quajnë veten të majtë të vërtetë. Nuk ka rëndësi se si do të quhet bashkimi, por vetëm me Ilir Metën nuk bashkohemi kurrë. Ai dhe partia e tij nuk është e majtë, ai na tradhtoi, si puna e atyre spiunëve në filma. Me Ilirin është një kapitull i mbyllur, ai nuk ka vend në familjen e madhe të së majtës, ai i shërben Berishës. Dhe ne na akuzonte se bashkëpunonim me Berishën, por në fakt ai dhe Nanoja kanë bashkëpunuar me Berishën, me qëllim për të shkatërruar PS-në. Unë në asnjë mënyrë nuk do të bashkëpunoja me Ilirin sepse e dija se ai bashkëpunonte me Berishën.  
Si mendoni ju për personat brenda partisë që kanë mendime ndryshe?
Unë i respektoj dhe i dëgjoj, ata kanë mendimin e tyre dhe e shprehin atë në kryesi, në forume dhe kudo, por gjithçka ngelet pjesa e debatit brenda partisë, partia jonë është e hapur dhe për ata që mendojnë ndryshe të tjerëve, debati sjell zhvillim në parti.
Nëse do ketë deputet që hyjnë në Parlament kundër, si do veprohet?
Nëse do të ketë, ata janë të vetpërjashtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›