E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria po u mohon trajtimin e duhur financiar pensionistëve



Partia Socialiste akuzon qeverinë dhe kryeministrin Berisha se po shkel në mënyrë të përsëritur legjislacionin e pensioneve, duke zbatuar afatet e indeksimit të tyre. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, tha se qeveria “Berisha” po u mohon trajtimin që u takon shtresave të pensionistëve, ish-ushtarakëve dhe ish-minatorëve. “Kanë kaluar 11 muaj të vitit 2008 dhe qeveria e Sali Berishës nuk zbaton detyrimet e përcaktuara në nenet 32 dhe 59 të Ligjit nr. 7703 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë". Mosmiratimi i koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve, cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi 6 mijë pensionistët e qytetit të dalë rishtas në pension prej 1 janarit 2008. Kështu, qeveria e Sali Berishës, e pashembullt në papërgjegjshmërinë e vet dhe kampione e paaftësisë, përveçse për 40 muaj nuk qe e aftë të përmirësojë nivelin e jetesës së pensionistëve, nuk u jep këtyre të fundit as çfarë u njeh ligji. Këto fakte tregojnë se deklarimet e Sali Berishës për reformë të pensioneve janë vetëm demagogji”, - tha Beqja.

LSI: Qeveria, e paaftë të ndal abuzimet me çmimin e naftës

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj fenomenit të abuzimit të çmimit të naftës në Shqipëri. Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, e akuzoi qeverinë si të paaftë për të ndalur këtë fenomen që dëmton rëndë xhepat e qytetarëve shqiptarë. “Në një kohë kur çmimi botëror i naftës shkon te 43 apo 44 dollarë për fuçi, në Shqipëri çmimi i karburantit duhet të ishte 80 apo 90 lekë për litër, kur ne jemi akoma në nivele e 130 lekë për litër. Këto çmime abuzive nuk mund të shpjegohen absolutisht me ecurinë e tregjeve ndërkombëtare, por shpjegohen vetëm me abuzimin e tregtuesve të karburanteve në Shqipëri dhe me një partneritet për fitime të jashtëligjshme që kanë këta me qeverinë apo me institucionet e qeverisë. Ministria nga ana e saj, thotë se duhet të ndërhyjë Inspektorati. Inspektorati thotë duhet të ndërhyjë Komiteti i Konkurrencës. Pra luhet pingpong nga një institucion i shtetit tek një institucion tjetër, vetëm për të shtyrë abuzimin dhe vetëm për të mos i dhënë zgjidhje kësaj situate për qytetarët shqiptarë. Pra ka një amulli dhe ka një padurim për të abuzuar dhe për të fituar në mënyrë të jashtëligjshme nga tregu energjetik, ashtu siç ka një kaos komplet në të gjitha politikat energjetike në vend”, - tha Prifti.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›