Një i vdekur dhe një i plagosur në Korçë
Një person ka vdekur dhe një grua është plagosur si pasojë në fshatin Podgorie të Korçës. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 17 e 50 minuta. Autori i krimit është Rreshit Adri. Sipas burimeve nga policia, ai ka qëlluar me armë një kushëririn e tij, duke i shkaktuar atij vdekjen. Viktima ishte Lulëzim Laze, 41 vjeç. Edhe pse ndaj 41-vjeçarit është dhënë ndihma e parë, plagët e marra kanë qenë të shumta, duke i shkaktuar atij vdekjen. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë. Ato kanë rrethuar zonën në përpjekje për të kapur autorin krimit. Ai ka qëlluar me armë në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit. Si pasojë, ka mbetur e plagosur edhe një grua, e cila ishte banore e fshatit. Ajo është transportuar menjëherë në spital, duke iu dhënë ndihma e parë. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ajo ka arritur që të dalë nga gjendja e rrezikut për jetën.
Sipas burimeve të policisë, bëhet e ditur se Adri, për t’iu larguar policisë, pas kryerjes së krimit është fshehur në një zonë malore. Gjithashtu thuhet se autori i krimit ka qenë i armatosur me automatik tip “Kallashnikov”. Policia rrethoi zonën, duke izoluar Adrin.
Në pranga një person, zbulohet baza e falsifikimit
Një person është arrestuar pas një operacioni të zhvilluar nga Antikrimi Ekonomik i Tiranës, ndërsa është zbuluar një bazë falsifikimi dokumentesh. Sipas burimeve nga policia, baza e falsifikimeve prodhonte viza “Shengen”, pasaporta shqiptare dhe greke, certifikata, si dhe karta të huaja identiteti. Ajo ndodhej pranë vendit të quajtur “Kafja e Rremës” në Tiranë. Gjithashtu në këtë operacion janë sekuestruar edhe 90 vula të institucioneve të ndryshme që përdoreshin nga falsifikatorët për prodhimin e dokumenteve. Nga ky operacion është arrestuar edhe Ylli Brahimllari. Antikrimi Ekonomik ka sekuestruar si provë materiale të këtij operacioni të gjithë materialin që dispononte kjo bazë, si dhe 200 certifikata false. Nga ana e policisë së Tiranës
po hetohet për pjesëtarë të tjerë në këtë rrjet trafiku.