E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e ktheu apo nuk e dekretoi ligjin e dosjeve?



Presidenti Bamir Topi na ka lënë në dilemë dje teksa afati për të firmosur ligjin e dosjeve përfundoi dhe ai nuk mori lapsin në dorë as për të hedhur firmën dhe as për ta kthyer atë në Parlament. Dhe dilema është: Presidenti nuk e ktheu ligjin, pra një version pozitiv për sjelljen e Presidentit ndaj ligjit të dosjeve apo Presidenti nuk e dekretoi ligjin, një version negativ për qëndrimin e Presidentit ndaj këtij ligji.

Nëse marrim rastin e parë: Presidenti nuk e ktheu ligjin, pasi ai dëgjoi një pjesë nga grupet e interesit, pra të përndjekurit dhe të persekutuarit, të cilët i kërkuan atij që ta dekretonte atë. Po ashtu pati një presion të rrallë nga organizatat shqiptare jashtë vendit, studentët e disa shoqatave në Tiranë, ndërkohë që vetë mazhoranca inkurajoi dekretimin e ligjit dhe besoi se Presidenti do ta tejkalonte mëdyshjen ngulitur kryesisht nga ndërkombëtarët për ta dekretuar ligjin e dosjeve.

Vetë Topi, përgjatë historisë së tij politike, ka treguar këmbëngulje për të kaluar një ligj të ri për lustracionin, duke u shprehur më shpesh dhe më mirë se shumë kolegë të tij nevojën e vendit për t’u ndarë me të kaluarën.

Disa prej institucioneve që kalojnë në lupën e Presidentit, si gjykatat dhe prokuroria, kanë pasur nevojë për lustracionin, qoftë për shkak të së kaluarës e qoftë për shkak se kishin hermetizuar sistemin e drejtësisë dhe kishin ngrirë karrierën e të tjerëve në përpjekje për të fshehur fajet e veta të diktaturës. Ligji i vjen në ndihmë Presidentit të largojë nga piramida drejtuese e shumë sektorëve të drejtësisë ish-sigurimsa apo juristë të lidhur fort me regjimin e kaluar.

Presidenti nuk e ktheu ligjin e dosjeve edhe për shkak të respektit ndaj origjinës politike që ai ka, çfarë e ndihmon sadopak të ruajë edhe identitetin e tij politik, identitet që e solli deri te posti i Presidentit.

Nëse marrim versionin negativ: Presidenti nuk e dekretoi ligjin për lustracionin për shkak se një pjesë e grupeve të interesit, ish-sigurimsat, përfaqësues të nomenklaturës së lartë komuniste, artikuluan nëpërmjet Edi Ramës dhe Partisë Socialiste kundër këtij ligji dhe i kërkuan Presidentit ta rrëzonte atë. Po ashtu, ndërkombëtarët që supervizojnë Tiranën, më shumë për shkak të gjykatave dhe prokurorisë, por jo komunizmit, bënë shumë vërejtje ndaj ligjit, duke aktivizuar me komente ndaj tij edhe zyra të rëndësishme, ndër të cilat, edhe ajo e zëvendëssekretarit të Shtetit të SHBA-së. Presidenti nuk e dekretoi ligjin për të ruajtur atë të mesmen e artë, prishja e së cilës rregullon punë, ndërsa ruajtja e saj nuk ka efekt, sepse gjithsesi, kjo e mesme nuk ekziston, pasi është prishur që në zgjedhjet e vitit 1992.

Topi nuk e dekretoi ligjin, duke kompensuar të persekutuarit politikë vetëm me kthimin e dekoratës së një prokurori që kishte kryer hetime politike gjatë diktaturës, si dhe duke kompensuar mazhorancën me një heshtje presidenciale, pra as nuk e kthen, por as nuk e dekreton. Që të dyja kompensimet janë të pamjaftueshme për pritshmërinë e lartë të mazhorancës, ndërkaq mosdekretimi, një kompensim i lartë për pritshmërinë e ulët të socialistëve dhe grupeve të interesit qark saj.

Por a ka një rregullore për Presidentin e Shqipërisë përmes së cilës të artikulojë vendimet e tij edhe në rastet kur Kushtetuta zbatohet, edhe kur firmos, edhe kur nuk firmos një ligj apo një dekret. Natyrisht nuk ka. Dhe arsyeja e kësaj mungese është se Presidenti nuk është trupë teknike, por politike dhe vendos përmes këtij arsyetimi, i cili e lejon Presidentin të qarkullojë në veprimtarinë e tij jo thjesht përmes “të mesmeve” që u kthye në zakon nga ndonjë President i mëparshëm mediokër, por përmes guximit politik dhe arsyeve për të cilat ai është zgjedhur në këtë post të lartë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›