PS: Qeveria të publikojë shifrat
Partia Socialiste ka vijuar edhe dje kontestimin e shifrave ekonomike të servirura nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha. Deputeti i saj, Ervin Koçi ka nënvizuar edhe njëherë nevojën e transparencës për një situatë që përcillet si “mrekullia ekonomike”, por që përmes veprimeve të fundit zbulohet vetëm nën emrin krizë. “Në një tjetër dalje të Ministrisë së Financave dje, deklarohen nivele të ardhurash e sukses, pa u publikuar as edhe një tabelë apo pasqyrë të mënyrës së mbledhjes së këtyre të ardhurave...Nëse qeveria ka sot të dhëna të besueshme mbi atë që ajo quan “mrekulli ekonomike”, por që për të gjithë shqiptarët përkthehet në krizë, atëherë t’i publikojë ato dhe t’u japë mundësinë ekspertëve të gjykojnë mbi gjendjen aktuale të ekonomisë...Nëse kjo gjendje ekonomike do të ishte në ato nivele që pretendon qeveria, çfarë nevoje do të kishte për të marrë borxh?”, deklaroi deputeti Koçi. Ai i është referuar jo vetëm asaj që PS e konsideron si manipulim shifrash, por edhe aktit të huamarrjes së brendshme, e cila zbulon nevojën e qeverisë për para e për pasojë dështimin e saj në mbledhjen e të ardhurave. Lidhur me këtë të fundit, nënkryetarja socialiste e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, ka bërë të ditur tri ditë më parë se ekzekutivi po prek mbi 70% të depozitave të qytetarëve në funksion të daljes nga situata e vështirë ku ndodhet.
#