Durrës, burg pa afat për katër prej protestuesve të Hamallajt
Ndonëse fytyrat e tyre janë fiksuar qartë në filmimet e bëra nga vetë policia dhe operatori i “Top Channel” që ndodhej në vendin e ngjarjes, të arrestuarit dhe avokatët mbrojtës të tyre kanë kërkuar të shpallin të paligjshme arrestimet dhe lirimin nga salla e gjyqit. Gjyqtari i seancave ndaj protestuesve të Hamallajt, Rexhep Bekteshi, ka rrëzuar dy kërkesat e tyre dhe në varësi të kërkesës së prokurorit të çështjes ka vendosur për masën e sigurisë për shtatë nga nëntë të arrestuarit. Ndërkaq, nga deklarimi në sallën e gjyqit rezulton se efektivat e FNSH-së që kanë mbetur të plagosur nga tentativa për ndërhyrje në Hamallaj janë katër: Neritan Neza, Besnik Vatoksi, Kujtim Kodra dhe Taulant Pukaj dhe të katërt vazhdojnë të mbahen nën trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak Tiranë. Në Gjykatën e Durrësit është bërë vlerësimi dhe caktimi i masës së sigurisë për 7 personat e arrestuar ditën e enjte, pak orë pas përleshjes së përgjakshme mes banorëve dhe pronarëve të ndërtimeve pa leje në Hidrovor dhe forcave speciale të policisë. Gjyqtari Bekteshi, në seanca të veçanta gjyqësore ka vlerësuar si të ligjshme arrestimet dhe ka lënë në burg pa afat 4 prej tyre, 2 të tjerë janë lënë në masë arresti 20-ditore, ndërsa një tjetër është lënë i lirë me detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore, ndërkohë që vijojnë hetimet. Me detyrim paraqitjeje është lënë 65-vjeçari nga Sukthi, Pjetër Kaci, ndërkohë që në burg pa afat janë lënë Alfred Kukaj, 26 vjeç, Edmir Osmanaj, 32 vjeç nga Sukthi, Mentor çekrezi, 27 vjeç me banim në Sukth dhe Abedin Rustemaj, 38 vjeç me banim në Tiranë. Burg me afat 20 ditë, ndryshe nga kërkesa e prokurorit për 30 ditë qëndrim në qelitë e paraburgimit, është vendosur nga gjykata për Bujar Hysën 44 vjeç dhe 52-vjeçarin me banim në Tiranë, Agim Rustemaj, vëllai i Abedin Rustemajt. Prokurori i çështjes, Vladimir Mara ka përshkruar ngjarjen që ndodhi paraditen e së enjtes, kur turma ka qëlluar me gurë, shkopinj e shishe me benzinë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Si rezultat kanë mbetur të plagosur 4 efektivë të policisë, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Avokatët mbrojtës u përpoqën të heqin përgjegjësinë nga klientët e tyre duke deklaruar se kanë qenë të rastësishëm dhe kanë kërkuar lirimin e tyre në sallën e gjyqit. Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar që të administrohen zyrtarisht me cilësinë e provës materiale dhe filmimet e bëra nga operatori i televizionit “Top Channel” në vendin e ngjarjes. Ditën e hënë pritet të bëhet vlerësimi i masës së arrestit dhe për dy të arrestuarit e tjerë të policisë. Në mes të turmës ka pasur edhe persona të maskuar që kanë qenë dhe më agresivët në goditje. Avokati Flamur Gjuzi i njërit prej të arrestuarve, 26-vjeçarit Alfred Kukaj në mbrojtje të klientit të tij, deklaroi se policia nuk ka arrestuar organizatorët kryesorë, por kalimtarë. I tillë u konsiderua prej tij Alfred Kukaj, i cili është arrestuar në makinën e tij pasditen e së enjtes te vendi i quajtur “Kthesa e ariut”, 5 km larg vendngjarjes. Sipas Gjuzit, kërkesat e prokurorisë bien ndesh me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale dhe kërkoi lirimin e Alfred Kukajt, i cili ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se: “Jam kapur në rrugë dhe kërkoj drejtësi”. Gjyqtari, pasi dëgjoi palët, pranoi kërkesën e organit të akuzës duke dhënë masë sigurie arrest me burg pa afat. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për vlerësimin e masës së sigurisë dhe caktimin e saj për të arrestuarit e tjerë. Ndërkaq, prokurori i çështjes tha se duhen administruar me cilësinë e provave një sërë procesverbalesh të ekspertëve në vendin e ngjarjes, deklarimet dhe procesverbalet përkatëse të katër efektivave të policisë speciale që mbetën të plagosur në ngjarje, procesverbali mbi deklarimin e Korab Istrefit dhe një sërë vendimesh e dokumentesh informative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës etj.
#