PS: Qeveria vjedh shqiptarët me faturat e KESH-it
Partia Socialiste denoncoi dje publikisht vjedhjen që po u bëhet shqiptarëve nga qeveria dhe OSSH-ja. Nënsekretari për programin, Ilir Beqja, bëri të ditur në një konferencë për shtyp se “në muajin dhjetor, OSSH-ja e thelloi grabitjen. Sipas faturave të muajit dhjetor, periudha e faturimit nuk është 31 ditë, por 43 ditë, duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovatë”. Beqja theksoi se edhe pas 42 muajsh qeverisje, Kryeministri Berisha nuk përmbushi premtimet që u bëri shqiptarëve për energjinë elektrike. “Sali Berisha premtoi furnizim pa ndërprerje të energjisë elektrike dhe pas 42 muajsh qe i paaftë ta përmbushë këtë angazhim. Sali Berisha premtoi përfundim të faturimit afrofe të energjisë elektrike dhe pas 42 muajsh qe i paaftë ta përmbushë këtë angazhim”. “Dhe si të mos mjaftonin telashet që kanë shqiptarët në furnizimin me energji elektrike, qeveria e Sali Berishës, nëpërmjet mashës OSSH, grabit sistematikisht buxhetet familjare shqiptare me faturat e energjisë elektrike”. Në emër të PS-së, Beqja i kërkoi Kryeministrit “të mos zhytet më thellë në grabitje në këta më pak se 6 muaj që i kanë mbetur në detyrë”.