Tatimet, 148 miliardë lekë të ardhura në buxhet në 2008-ën
Administrata tatimore ka arkëtuar në buxhetin e shtetit rreth 23 miliardë lekë më shumë gjatë vitit 2008 sesa në vitin 2007. Kjo administratë arriti të arkëtojë në total 148 miliardë lekë të ardhura tatimore për vitin që lamë pas, nga 125 miliardë që u arkëtuan në vitin 2007. Administrata tatimore bëri dje bilancin e rezultateve të arritura gjatë vitit 2008 dhe të pranishëm në analizë ishte drejtori i përgjithshëm Arben Sefgjini dhe zëvendësministri Florion Mima. Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Sefgjini, tha dje se fokusimi në reformat strukturore dhe në përmirësimin e elementeve të administrimit tatimor, kanë sjellë rezultatet e pritshme dhe performancë të kënaqshme të objektivave sasiore, jo vetëm në të hyrat fiskale të shtetit, por edhe në treguesit kryesorë të performances, me të cilët vlerësohet dhe matet puna e një administrate tatimore. “Objektivi kryesor sasior i punës në vitin e kaluar, ka qenë rritja e nivelit të arkëtimeve të të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit. Në këtë kuadër, në vitin 2008 është arkëtuar nga kjo administratë niveli i programuar buxhetor i të ardhurave, pra 148 miliardë lekë, nga 125 miliardë lekë të arkëtuara në vitin 2007, pra 23 miliardë lekë ose rreth 250 milionë dollarë më shumë”, - u shpreh z. Arben Sefgjini. Sipas tij rezultate pozitive dhe inkurajuese janë arritur në tatimet me kryesore direkte dhe indirekte që zbatohen në Shqipëri si tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi të ardhurat e kompanive dhe të individëve. Për më tepër, rritja në këto lloje të ardhurash krahasuar me vitin 2007, llogaritet nga 35-65 për qind. Një tregues i rëndësishëm si raporti i shpenzimeve të administratës tatimore, krahasuar me të ardhurat tatimore të grumbulluara prej saj nga 1.46 për qind që rezultonte në vitin 2007, është ulur në 1.2 për qind për vitin 2008. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është realizuar sipas programit dhe rezulton me rritje 34 për qind krahasuar me vitin 2007. Tatimi mbi Fitimin Korporativ rezulton në nivelin 87.4 për qind të vitit 2007, ndërkohë që tarifa është përgjysmuar. Pra, duke i vendosur në baza të njëjta krahasuese do të kishim një tejkalim prej 43.7% të këtij tatimi. Tatimi mbi të Ardhurat personale të Individëve është rritur me 65 për qind krahasuar me vitin 2007.
Administrimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore ka njohur përmirësim në vitin 2008, të ardhurat nga kontributet e arkëtuara në vitin 2008 janë 17 për qind më shumë, ose 6.5 miliardë lekë më shume se ato të vitit 2007. “Një faktor i rëndësishëm që ka sjelle këtë situatë është përmirësimi i elementëve që kanë të bëjnë direkt me punën e administratës tatimore në interceptimin dhe luftimin e evazionit fiskal, korrupsionit dhe mashtrimit me ligjin”, - theksoi Sevgjini. Ndër arritjet kryesore të Administratës Tatimore për vitin 2008 Sefgjini përmendi implementimin me sukses të ligjit të ri “Për procedurat tatimore”, ligj i cili ndryshoi misionin dhe natyrën e Administratës Tatimore, nga një administratë e fokusuar ngushtësisht vetëm në përcaktimin e masës dhe mbledhjen me metoda force të tatimeve dhe taksave, në një administratë që ofron shërbime dhe lehtëson përputhshmërinë e tatimpaguesve me ligjin.