PS, Rama: Marrëveshja Kosovë-Serbi, rrugë e mesme për integrimin në BE

Edi Rama
Partia Socialiste cilëson marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një hap i ndërmjetëm që u krijon të dy shteteve mundësinë për tu integruar në BE.
Kreu i saj Edi Rama shprehet se ajo gjithashtu është një hap i rëndësishëm që mundëson përfaqësimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur në nismat rajonale.
Rama e konsideron marrëveshjen si një rrugë të mesme por që sipas ti nuk vë në dyshim pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, të shpallur katër vite më parë.
Përdorimi i fusnotës në marrëveshje duhet lexuar si një hap i ndërmjetëm që i krijon mundësinë Kosovës dhe Serbisë për të përparuar në rrugëtimin Evropian, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, dhe në asnjë rrethanë nuk vë në pikëpyetje vullnetin Sovran të popullit të Kosovës, shpallur më 17 Shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës, e të mbështetur nga partnerët euro-atlantikë dhe Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është shprehur Rama. /F.S/