PS: Reagimi i Pangos skandaloz
10/12/2008 Partia Socialiste mendon se Ministria e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit është treguar e njëanshme në trajtimin e incidentit që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve për kreun e ri të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Sekretari organizativ Blendi Klosi ka deklaruar se PS-ja ndihet e skandalizuar jo vetëm me dhunën e ushtruar në procesin e votimit në zgjedhjet për presidentin e KOKSH-it, por edhe me deklaratën krejt formale të ministrisë përkatëse në dënimin e kësaj dhune. “Deklarata formale e ministrit për dënimin e dhunës nga njëra anë, ku flitet për dënim të ‘dhunës ngado që të vijë’, ndërkohë që e gjithë Shqipëria e ka parë se dhuna ka ardhur saktësisht nga një person me emër e me mbiemër dhe nga ana tjetër fakti se është ndaluar në polici jo dhunuesi, por një njeri i denoncuar prej dhunuesit, tregojnë qartë se dhunuesi Esat Ademi ka vepruar i mbështetur nga pushteti”, - ka deklaruar Klosi. Për zyrtarin e lartë socialist situata e krijuar në KOKSH dhe qëndrimi komprometues i qeverisë tregojnë edhe një herë se “ky pushtet i politikës së vjetër me mendësi komuniste nuk bashkëjeton dot me institucionet e pavarura qoftë edhe në sport”. Sipas tij qeveria duhet urgjentisht të distancohet nga dhunuesi i zgjedhjeve të KOKSH-it dhe të garantojë lirinë e pavarësinë e tij, duke mos lejuar që sporti të kthehet në një fushë e minuar nga interesat politike të ditës.