PS: S
Partia Socialiste dha alarmin dje, se veprimet e shitblerjes së pasurive të paluajtshme janë bllokuar prej dy muajsh. Nënsekretari për Programin, Ilir Beqja, ish-drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në qeverisjen socialiste, kujtoi dje paralajmërimin e bërë dy javë më parë për mosgarantimin e së drejtës kushtetuese të pronësisë nga shërbimi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë. “Problematikës që bart kjo pjesë e administratës publike shqiptare i është shtuar që prej dy muajsh edhe bllokimi i veprimeve të shitblerjes së pasurive të patundshme nga paaftësia e institucioneve qeveritare në zbatimin e ndryshimit ligjor të tatimit mbi të ardhurat, të miratuar që në prill 2007. Ministrat përgjegjës dhe stafet e tyre u treguan të pazotë për 9 muaj në nxjerrjen e udhëzimit, i cili vetëm në 18 janar 2008 u firmos dhe vetëm në 21 janar 2008 u bë publik”, - theksoi Beqja, ish-basketbollist në vitet ‘80-të i së njëjtës skuadër të kryetarit Edi Rama, “Dinamo”. Sipas tij, vendimet e qeverisë të nxjerra në zbatim të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave përdoren në mënyrë abuzive. Ai shtoi se edhe pas firmosjes së udhëzimit, ministrat lanë jashtë zbatimit të ligjit pasuri të paluajtshme në rrethe të ndryshme të vendit. Beqja nënvizoi se për pasojë të problemeve të hasura dhe abuzimeve, veprimet e shitblerjes së pasurive të paluajtshme kanë bllokuar veprimet e shitblerjes së pasurive të paluajtshme prej 2 muajsh.