E Diel, 1 Nëntor 2026

Për inat të sime vjehrre

Për arsye të njëjta, por nga drejtime të ndryshme, dje në mesditë u thelluan edhe më tej themelet e bashkëpunimit të pritshëm mes lëvizjes së LSI-së dhe grupimit “Nano” ende në PS. Krerët e dy lëvizjeve, asaj Socialiste për Integrim dhe Lëvizjes për Politikë Institucionale, të drejtuara respektivisht nga Ilir Meta dhe Petro Koçi, zhvilluan dje një takim për të zgjeruar bashkëpunimin mes këtyre forcave në prag të lançimit të asaj që LSI-ja e quan “E majta për integrim”. Takimi u zhvillua në ambientet e hotel “Sheratonit” në Tiranë dhe u parapri nga negociata paraprake mes stafeve teknike të të dyja palëve. Kontakti mes dy liderëve u përgatit në një tryezë maratonë bisedimesh nga Spartak Braho dhe Arben Demeti. Takimi mësohet se ka zgjatur rreth një orë dhe në të janë cekur tema që lidhen me forcimin e bashkëpunimit, dhe ndoshta edhe shkrirjes mes dy grupimeve, si dhe rolet drejtuese të lidershipit të ri. Petro Koçi u vu në krye të një lëvizjeje deputetësh, mbështetës të ish-kryetarit socialist Fatos Nano gjatë verës që shkoi, kur debatet për zgjedhjen e presidentit arritën pikën e vlimit. Grupimi në fjalë dha një ndihmë të madhe në zgjidhjen e krizës presidenciale, kur gjashtë anëtarë të tij mbështetën Bamir Topin, kandidat i Partisë Demokratike të drejtuar nga kryeministri Berisha. Ditët e fundit, anëtarë të këtij grupimi kanë shprehur simpatinë për projektin e Ilir Metës, i cili e nxori partinë e tij nga koalicioni qeveritar, pasi akuzoi zotin Rama po për zbutje të luftës opozitare dhe bashkëpunim me Berishën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›