E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Shifrat e vdekjes, si në kohë lufte. Për 3 muaj kanë vdekur 158 persona, policia është kthyer si agjenci mortore

Partia Socialiste është shprehur e shqetësuar me situatën e kriminalitetit në rritje në vend dhe vdekjet e shumta të ndodhura kohët e fundit, si pasojë e vrasjeve apo aksidenteve automobilistike.

Deputeti Saimir Tahiri, në një deklaratë për shtyp, u shpreh se duke parë numrin e lartë të vdekjeve, të krijohet përshtypja e një situate lufte. Brenda 3 muajve, sipas Tahirit, kanë vdekur plot 150 persona, duke e renditur Shqipërinë si vendin me shkallën e kriminalitetit më të lartë në Europë dhe rajon.

Sali Berisha në vend që tu thotë shqiptarëve sesa u rrit numri i turistëve, do ishte mirë që tu thoshte shqiptarëve bilancet e luftës së vrasjeve, plagosjeve, aksidenteve, vjedhjeve. Gjatë 90 ditëve kanë humbur jetën 158 qytetarë nga vrasjet, aksidentet e vjedhjet. 220 qytetarë janë plagosur dhe gjymtuar. Në Shqipëri kanë humbur jetën dhe plagosur më shumë shtetas se në cdo vend të rajonit. Kemi kriminelë që duhet të ishin në burg dhe gjenden të lirë. Policia është kthyer në agjenci mortore, në militantë të shefave partiakë , tha Tahiri.

Arsyeja e vërtetë e këtyre vdekjeve është keqeverisja e Sali Berishës. Konflikti për pronën, varfëria, papunësia, kanë hapur rrugët e krimit dhe drogës. Keqqeverisja, sepse mungon shteti. Vjedhin se mungojnë institucionet, larje hesapesh për një fjalë goje sepse mungojnë institucionet. Aksidentet rrugore janë vetëm motivet në dukje, sepse këto janë vrasje të paralajmëruara, për shkak të mungesës së sinjalistikës. Kriminelët duhet të ishin në burg, por realisht janë jashtë hekurave për të vrarë e masakruar sërish, vijoi Tahiri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›