E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Shkarkoni ambasadorin tonë në OKB

Deputetja e PS-së, Arta Dade, e cila është edhe anëtare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, ka reaguar dje në lidhje me veprimin e ambasadorit tonë në OKB, Adrian Neritani, i cili ka dërguar një letër në redaksinë e "New York Times", ku sqaron se Kryeministri dhe familja e tij nuk janë të përfshirë në trafikun e paligjshëm të armëve. Sipas deputetes Dade, një veprim i tillë i ambasadorit tonë është i pakuptueshëm edhe jashtë kontekstit dhe funksioneve të një diplomati të rangut në fjalë dhe njëherazi sjell përsëri në vëmendje domosdoshmërinë e reformimit të diplomacisë. Ajo theksoi se militantizmi i trupit diplomatik është një tjetër dëm që i është bërë vendit nga kjo mazhorancë. Dade i ka kërkuar Presidentit Topi që të ushtrojë funksionin e tij për të pasur një trupë ambasadorësh që i shërbejnë vendit dhe të shkarkojë këtë ambasador.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›