PS: Shoku i Shkëlzenit, bashkëpronarë në bizneset e Arian Tartarit
Partia Socialiste ka bërë publike sot të tjera fakte që sipas selisë rozë dëshmojnë pasurimin korruptiv të deputetes së PD-së Albana Vokshi.
Duke vënë theksin tek heshtja e Berishës, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Eduard Shalsi solli para gazetarëve disa fakte të reja.
Ai solli në vemendje kompaninë Vision Construction sh.p.k, e cila sipas tij është në bashkëpronësi te zotit Tartari dhe të një emri të njohur si për opinionin publik ashtu edhe për Kryeministrin. "Rrahman Selmanllari, i njohur ndryshe si miku i ngushtë i djalit të Berishës, apo edhe si përfaqësuesi i interesave të biznesit të familjes Berisha", tha Shalsi.
Më tej ai tha se emri i Selmanllarit na kujton të gjithëve përfshirjen e tij në çeshtjen e Gërdecit, Orikumit apo në shumë afera të tjerë.
"Për më tepër, objekti i biznesit i kësaj firme është "tregtimi i karburanteve dhe vajrave lubrifikuese," të cilat prodhohen nga fushat e naftës e gazit që i janë falur me koncesion nga Sali Berisha, Arian Tartarit për llogari të firmës së tij Stream Oil", -theksoi Shalsi
Partia Socialiste bëri sot një ftesë publike që të sqarohen këto lidhje, pasi sipas tyre heshtja do të thotë pranim i fajit.