E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Tahiri: Berisha kërkon ta kthejë SHISH-in në gestapo

Qëndrimi Selia rozë thotë se amendamentet e ofruara nga shumica nuk përbëjnë asnjë reformë

Socialistët e cilësuan projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shqiptar si një tentativë të Kryeministrit Sali Berisha për ta shndërruar këtë institucion në një gestapo moderne, që do të ketë në fokus sulmet politike dhe jo vetëm. Deputeti Saimir Tahiri, në një analizë të detajuar të projektligjit, theksoi në “Top Channel” se ai nuk ofron asnjë garanci ligjore dhe kushtetuese për një shërbim inteligjent në përputhje me këto parime. Amendamentet e ofruara nga shumica, sipas Tahirit, nuk përbëjnë asnjë reformë për SHISH-in, por përkundrazi e centralizojnë atë në duart e Kryeministrit Berisha, duke lënë jashtë kontrollin parlamentar dhe atë gjyqësor. Deputeti socialist quan skandaloz një nga shtesat e bëra prej mazhorancës, ku parashikohet në veprimtarinë e SHISH-it edhe kontrolli, mbikëqyrja nga cenimi i demokracisë parlamentare.

Centralizimi dhe kontrolli që synohet me këtë iniciativë mbi SHISH-in bëhet edhe më i frikshëm sipas Tahirit, sepse mund të abuzohet me mundësinë që ky organ ka me ligjin ekzistues për të përgjuar dhe kontrolluar deputetët me vetëm një firmë të thjeshtë të Kryetares së Kuvendit. “Supozoni një drejtor të emëruar nga Berisha që përgjon me firmën e Kryetares së Parlamentit. Kjo nuk përbën asnjë garanci”, u shpreh Tahiri. Një tjetër hapësirë e çuditshme, sipas Tahirit, është edhe fakti se në projektligj përcaktohet një mandat i kufizuar për drejtorin e SHISH-it, por jo për zëvendësin e tij. E aq më tepër thotë Tahiri që roli i Parlamentit është i kufizuar, thuajse inekzistent. Një tjetër pikë është edhe inspektori i përgjithshëm, i cili është i emëruar drejtpërdrejt nga Kryeministri. Zoti Tahiri rendit edhe një sërë pikash të tjera, të cilat, sipas tij, janë tregues të qartë të tentativës së Kryeministrit për të zaptuar këtë institucion. Sipas tij, SHISH-i ka nevojë për një reformë rrënjësore konsensuale me asistencën e NATO-s, KE-së dhe OSBE-së, vetëm në këtë mënyrë për Tahirin mund të garantohet një institucion profesional dhe jo një organ politik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›