PS, Tahiri: Centrali Bërthamor, tymnajë e Berishës për të larguar vëmendjen

Tiranë, 24 janar NOA Deputeti i Partisë
Socialiste, Saimir Tahiri ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës
ka reaguar për vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë Kombëtare
Bërthamore, që sipas tij është një tymnajë e radhës e kryeministrit për të
larguar vëmendjen nga kriza që ka mbërthyer vendin.
Java që po mbyllet shënoi edhe një Vendim të
Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore,
nëpërmjet të cilës pritet të fillojë puna për ndërtimin çmendurisë së radhës së
Sali Berishës, Centralit Bërthamor.
Deklaratat entuziaste të Sali Berishës se do e
kthejë Shqipërinë në një superfuqi ballkanike për eksportin e energjisë, janë
qesharake po të mendosh se po kjo qeveri është e paaftë për të furnizuar
qytetarët e vendit të vet 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike, e jo më të
sjellësh ne mëndje si kthehet në gazin e botës me paaftësinë për të mbajtur
edhe stadiumin e vetëm ndërkombëtar me energji elektrike sa për një ndeshje
futbolli tha sot Tahiri.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë e dinë mirë se
lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë
prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës
i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor,
kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë
zënë në kllapi vendin.
Partia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit
që ti lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë
seriozisht për një sipërmarrje të tillë, të mos fillojë nga emërimi i
militantit të radhës si Drejtor të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, por
fillimisht ti japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale
duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, e më
pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk
duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do e bëjmë ne dhe
shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor përfundoi deputeti
socialist, Saimir Tahiri.
k.k/NOA