E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, PR bllokon vendimin në Parlament

Republikanët bllokojnë vendimin e këshillit për heqjen ose jo të imunitetit të kreut të PR-së, Fatmir Mediut.

Mbledhja e djeshme e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit të Kuvendit është shoqëruar me pretendime të reja nga ana e republikanëve në lidhje me kërkesën e kryeprokurores për heqjen e imunitetit të kryetarit të PR-së, Mediu. Argumenti i dhënë nga republikanët në mbledhjen e këshillit është se Prokuroria nuk ka paraqitur fakte konkrete për akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, ku kërkohej heqja e imunitetit të deputetit dhe nisja e ndjekjes penale nga organi i akuzës. Deputeti i PR-së, Arjan Madhi, i caktuar së fundmi si anëtar i këtij këshillit ka paraqitur dje këtë argument, që duhen fakte konkrete në lidhje me kërkesën e paraqitur nga ana e Ina Ramës. "Prokuroria të shoqërojë kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut me dokumentet, ku të jenë akuzat që ajo ka formuluar kundër tij. Duke sjellë në vëmendjen tuaj faktin se është shprehur në mënyrë eksplicite në nenin 118, se kërkesa duhet të kishte dokumentet shoqëruese. Unë do të t'ju kërkoja juve që kërkesa të rikthehet, ose të mos niset nga procedura e këtij këshilli, përderisa të sillen standardet e kërkuara nga neni 118 ", deklaroi deputeti republikan Madhi. Edhe pse kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është konform rregullave, ashtu siç u kërkua kohë më parë dhe për ish-ministrin e Transportit, Lulzim Basha, këshilli ra dakord që të shtyhet vendimi për heqjen ose jo të imunitetit të Mediut. Kryeparlamentarja Topalli duke përmendur si precedent rastin Basha, e ka cilësuar të drejtë kërkesën e Madhit. "Unë edhe më parë kam kërkuar të njëjtën gjë në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha, që të njihemi me akuza konkrete, me dokumente", theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit, njoftoi këshillin se, bazuar në nenin 118 pika 2 e Rregullores së Kuvendit, ka vënë në dijeni menjëherë deputetin Fatmir Mediu mbi kërkesën e ardhur nga prokurori i Përgjithshëm. Kryetarja Topalli i kërkoi deputetit republikan Madhi të paraqiste kërkesën e tij në formë shkresore për t'ia përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme. Topalli, njëkohësisht edhe kryetare e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve u shpreh se, "pasi anëtarët e këshillit të njihen me kërkesën e ardhur, do të zhvillohet mbledhja e ardhshme e kësaj strukture". Topalli shtoi se, "deputeti i PR-së, Fatmir Mediu ka të drejtë të flasë dhe të dëgjohet në këtë këshill". Ndërsa mësohet se ka ndryshuar dhe përbërja e këtij këshilli, duke u shtuar me anëtarë të rinj. Ata janë Jozefina Topalli, Albert Çaçi PS, Angjelina Kola PSD, Arjan Madhi PR, Astrit Bushati PD, Besnik Dervishi PS, Ilir Bano PD, Petro Koçi PS, Safet Sula PD dhe Vangjel Tavo PS. Më përpara në këtë këshill kanë qenë Sabit Brokaj i LSI-së dhe Osman Metalla, të cilët janë zëvendësuar nga republikani Madhi dhe socialisti Dervishi. Më 25 prill të këtij viti, kryeprokurorja Ina Rama bëri publike kërkesën zyrtare të akuzës drejtuar Kuvendit, për nisjen e procedurave të heqjes se imunitetit deputetit republikan Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, me qëllim hetimin penal ndaj tij për ngjarjen e 15 marsit, në Gërdec të Bashkisë së Vorës. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ish-ministri i Mbrojtjes "me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka krijuar kushte përfitimi për firmat që merreshin me çmontimin e predhave në fabrikën e Gërdecit".

Pinari rrezikon akuzën “shpërdorim armatimi”

TIRANE - Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, rrezikon të merret i pandehur nga Prokuroria për akuzat e shpërdorimit të detyrës, favorizimit të paligjshëm të kompanisë "SAC-Alba Demil", e cila kryente çmontim municionesh në Gërdec dhe shpërdorim armatimi. Këto janë veprat penale që Prokuroria i atribuon ish-titullarit të ndërmarrjes së import-eksportit të armëve, i cili ndodhet i arrestuar prej 18 marsit të këtij viti për akuzën e "shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët luftarake dhe radioaktive". Pinari mësohet se është në hetim për tri vepra penale, që dyshohet se i ka konsumuar gjatë veprimeve dhe mosveprimeve të tij lidhur me procesin e çmontimit në Gërdec, si dhe procedurat e ndjekura me armatimet dhe municionet e nxjerra nga përdorimi ushtarak, të cilat janë dërguar për çmontim pa çmime të përcaktuara për shitje.       t.s

Gërdec, hetohet për krim ekonomik

Në fabrikën e demontimit të municioneve të Gërdecit, njëherazi me tragjedinë njerëzore, ëshatë konsumuar edhe krim ekonomik.

Ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme që hetojnë çështjen e katastrofës së 15 marsit, janë fokusuar së fundi në zbardhjen e aferës "MEICO-SAC" pas të cilës fshihet një shifër marramendëse përfitimi, e zyrtarizuar në dokumente për t'u përftuar nga procesi i konsideruar si i demontimit të municioneve në ish-fabrikën e Gërdecit. Investigimet e përbashkëta të ekspertëve të krimit ekonomik dhe atyre të industrisë ushtarake, që kanë zbuluar shifrat e para të aferës kriminale pohojnë se, nga shitja e skrapit të predhave Mihal Delijorgji dhe SAC do të përfitonin përafërsisht 11 milionë dollarë. Ky është edhe hapi i radhës i grupit të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme menjëherë pasi u arrit në konkluzionin se në këtë aferë ishte i përfshirë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin u kërkua zyrtarisht heqja e imunitetit.
Skema e aferës
Afera e Gërdecit ishte ngritur mbi bazën e një skeme të strukturuar në zyrat shtetërore ku ishte parashikuar gjithçka, deri në detajin më të vogël. Ekspertët e krimit ekonomik që kanë konkluduar në një fakt të tillë, pohojnë se gjithçka në të ishte konturuar mbi babëzinë e papërmbajtëshme për të përfituar sa më shumë nga procesi i demontimit. Kjo skemë për ta do të kishte shkuar mbarë po mos të kishte ndodhur katastrofa e 15 marsit, e gjitha për shkak të moszbatimit të elementëve parësorë të sigurisë nisur nga depozitimi i gabuar i barutit, shpërthimi i të cilit, veç tragjedisë njerëzore do të hidhte në erë makutërinë e fitimit në këtë rast. Shpërthimi në këtë vështrim do të zbulonte edhe vetë thelbin e skemës së aferës. Për ekspertët e hetimit që kanë në dorë tashmë tërë dokumentacionin përkatës, është qartësuar çdo gjë lidhur me mënyrën e funksionimit të skemës korruptive. E zbardhur lakuriq, kjo aferë detyronte Delijorgjin dhe SAC të paguante vetëm pagat e punëtorëve që bënin veçimin e gëzhojave nga arkat dhe proceset e tjera, siç ishte larja me naftë e pjesëve të përftuara. Ndërkohë që i gjithë transporti kryhej me anë të mjeteve të ushtrisë, po kështu ushtria paguante edhe karburantin si dhe logjistikën. Të gjitha këto mundësonin një fitim të pastër dhe të shumëfishtë për Delijorgjin dhe SAC.
Llogaritjet e para
Afera "MEICO-SAC" parashikonte një përfitim prej 11 milionë dollarësh. Kjo është shifra e parë që kanë nxjerrë nga hetimet e deritanishme ekspertët e krimit ekonomik në bashkëpunim me ata të industrisë ushtarake gjatë shqyrtimit të procedurave zyrtare, mbi të cilat është operuar për zbatimin e kontratës së dytë me SAC-in. Gazeta "Panorama" ka mundur të sigurojë një kopje të dokumentit ku janë hedhur përllogaritjet e nxjerra deri tani. Sipas këtij dokumenti, Ministria e Mbrojtjes, do t'i shiste SAC sasinë prej 11 mijë ton municione të kalibrave 20-150 m/m në këmbim të një vlere prej 582 326 dollarësh. Në pamje të parë përfitimi duket jo i vogël, por kjo shumë fillon e përqethet në zërat e tjera të kontratës. SAC, i privilegjuar haptas nga autoritetet zyrtare, kushtëzon sjelljen e mallit në Gërdec dhe Ministria e Mbrojtjes nuk heziton t'i ofrojë shërbimin falas për transportin e municioneve, një shërbim i cili nuk gëlltit pak por 550 mijë dollarë. Ka mjaftuar kaq që shuma 582 326 dollarë e përcaktuar për t'u derdhur nga arka e SAC-it në atë të Ministrisë së Mbrojtjes të shkojë në 32 mijë dollarë, që do të thotë vetëm thërrime. Ndërkohë pala tjetër, "SAC-Alba Demil", e cila do të bënte demontimin dhe eksportin e skrapit të përfituar nga ky proces, do të përftonte jo pak por rreth 11 milionë dollarë. Ekspertët kanë parasysh në këtë përllogaritje çmimin e skrapit të bronzit dhe atij të çelikut sipas çmimeve të tregut. Vetëm nga një ballafaqim që ata kanë bërë, ka rezultuar që Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar në kontratë një çmim 20 herë më të lirë, jo vetëm nga ai i tregut, por edhe nga vet çmimi me të cilin ka operuar më parë MEICO në tregun ndërkombëtar.               fa.ma

perllogaritjet E AFEReS

Sasia e municioneve që Ministria e Mbrojtjes i jep për demontim SAC  11000 ton
Vlera e municioneve që MM do të përftonte sipas kontratës  582 326 USD
Vlera e transportit bërë falas nga MM  11 000 Ton x 50 USD/Ton = 550 000 USD (11000ton x 50 USD/Ton)

Ministria fiton 582 326 USD - 550 000USD (Vlera e transportit) = 32 000 USD

Vlera e shkatërrimit të këtyre municioneve sipas standardeve teknike:

11 000 Ton x 200 USD/Ton  =  2 200 000 USD

Vlera e skrapit në favor të SAC "Alba Demil":
Bronzi  2000s ton x 6000 USD/Ton = 12 000 000 USD
Çeliku 6000 ton x 250 USD/Ton = 1 200 000 USD
(këtu nuk llogariten të ardhurat e tjera nga eksporti i skrapit bakër, plumb dhe TNT që përftohet nga demontimi i municioneve të artilerisë)                 
                                                  
Total                 13 200 000 USD

Blerësi (SAC Demil) përfiton: 
13 200 000 USD - 2 200 000 USD = 11 000 000 USD

Dosja “Gërdeci”, gati gjashtë akuza të reja

TIRANE - "Në Gërdec janë kryer një sërë veprash penale, më e lehta e të cilave është ajo e punësimit të të miturve apo shkelja e rregullave të sigurisë për lëndët plasëse". Ky është pohimi i grupit hetimor të Prokurorisë për dosjen "Gërdeci", i cili konfirmon se institucioni i hetimit tashmë ka hyrë në fazën e klasifikimit dhe vlerësimit të veprave të tjera penale të kryera nga të implikuarit në shkaktimin e tragjedisë së 15 marsit të këtij viti. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, konfirmuan dje se grupi i hetimit është përfshirë në një verifikim kapital të të gjithë materialeve të grumbulluara deri më tani në dosje, duke përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, raporte ekspertizash, raport-vlerësime, dokumente, deklarime dëshmitarësh apo personash me dijeni për ngjarjen apo të dhëna të tjera, të cilat ndodhen në fashikullin hetimor. Sipas këtyre burimeve, në kuadër të klasifikimit të veprave penale që dyshohet se janë kryer në Gërdec, Mihal Delijorgji, pronar i firmës "Alba Demil" si dhe drejtori i fabrikës së çmontimit Dritan Minxolli, rrezikojnë akuzën e punësimit të të miturve, një fakt ky, tashmë i konfirmuar nga hetimet e Prokurorisë. Ndërkaq, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, Dashnor Çaushi, deri më tani person në hetim, rrezikon akuzën e "shpërdorimit të detyrës" që dyshohet ta ketë kryer falë një dokumenti të firmosur prej tij, ku përmendet se çmontimi i predhave e municioneve do të bëhej në zonën e banuar dhe të pastudiuar të Gërdecit. Për të njëjtën akuzë Prokuroria është duke hetuar edhe Sokol Gjeçin, mbikëqyrës i ndërmarrjes MEICO në Gërdec, i cili për rrethana ende të paqarta, nuk kishte mundur të bënte asnjë kontroll për kushtet e sigurisë gjatë demontimit të fishekëve e predhave në fabrikën e tragjedisë.                       t.s

Karburanti në Gërdec nga ushtria

I tërë procesi i larjes së gëzhojave të predhave dhe fishekëve luftarak që bëhej në ish-fabrikën e demontimit në Gërdec, është realizuar me karburantin e Forcave të Armatosura. "Dashamirësia" e titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe komandave të forcave ndaj biznesmenit Delijorgji, i ka kushtuar arkës së shtetit mijëra dollarë. Janë me qindra e mijëra litra naftë e benzinë që janë transportuar nga depot e ushtrisë në drejtim të distributorit të Gërdecit dhe ç'është më e çuditshmja e gjithë kjo "bamirësi" është bërë pa asnjë dokument zyrtar, por me urdhra verbal të eprorëve të linjës. Ndërkaq, Komanda e Logjistikës e ka furnizuar falas ish-fabrikën e demontimit edhe me materiale e pajisje të tjera. Rasti i fadromës së xhenios aty që nga dita e parë, është precedenti më i spikatur i shpërdorimit të mjeteve shtetërore për afera private.

Ministria transportonte falas municionet për SAC

Plotë 550 mijë dollarë i ka kushtuar Ministrisë së Mbrojtjes transporti i arsenaleve luftarake nga depot e Forcave të Armatosura në ish-fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Kompania SAC që ka përftuar të drejtën për demilitarizimin e këtyre arsenaleve, është privilegjuar nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat i janë përgjigjur rigorozisht kërkesave të saj për transportin e municioneve nga të gjitha skajet e garnizoneve ushtarake. Mbi qindra automjete të Komandës së Logjistikës janë vënë kështu nën komandën e Delijorgjit dhe kanë sjellë në Gërdec plot 11 000 ton municione. Llogaritur me vlerën e 50 dollarëve për ton që kushton ky lloj transporti, rezulton që Delijorgji ka përfituar nga kjo "bujari" e dikasterit të Mbrojtjes rreth gjysmë milion dollar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›