PS: Të zbatohet parimi fiskal i parashikueshmërisë

Partia Socialiste konsideron se qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur një nga parimet themelore të administrimit fiskal, atë të parashikueshmërisë. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, tha sot gjatë një konference për shtyp se "udhëzimet e administratës tatimore për formatin e formularit dhe deklarimit të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale, të miratuara nga Ministria e Financave më 19 shkurt, kanë hyrë në fuqi një ditë më pas, duke mos i lënë kohë subjekteve të interesuara të njihen me përmbajtjen dhe të përgatiten për zbatimin e tij". Sipas tij, "stafit të Ministrisë së Financave iu deshën 9 muaj për të bërë gati udhëzimin, ndërsa tatimpaguesve nuk i lihet asnjë ditë kohë për t'u njohur me udhëzimin".