PS: Topi të mos bëhet pre e sulmit të PD-së
Partia Socialiste ka ndërhyrë në përplasjen e mazhorancës me Presidentin, duke i kërkuar këtij të fundit që të mos bjerë pre e shantazheve të Kryeministrit Berisha. Apeli është lëshuar vetëm 24 orë pas sulmit që mazhoranca nisi për Presidentin Topi në lidhje me përfundimin e mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarit të saj, Vladimir Kristo. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, iu drejtua publikisht Presidentit Topi që “të mos e tolerojë më tutje praktikën e gjuetisë së shtrigave ndaj kandidaturave që nominon për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë”. Sipas tij, mazhoranca ka hapur një krizë të re në vazhdën e krizave që pasojnë, si ajo që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kriza ekonomike në të cilën është zhytur vendi. Partia Socialiste doli në mbështetje të kreut të shtetit pas sulmit që deputeti i PD-së, Eduard Halimi, bëri ndaj kreut të shtetit për përfundimin e mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen e publikut nga kriza e vërtetë e transparencës së munguar mbi zgjedhjet e vjedhura e mbi ekonominë e kapur nga e njëjta familje në pushtet, sidomos pas daljes me turp nga beteja antikombëtare për uzurpimin e Shërbimit Sekret, Sali Berisha ka hapur një krizë të re me Presidentin e Republikës”, u shpreh Tahiri.
#