Topi, negociata në gusht për Kushtetuesen
Propozimi i emrave të katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të sjellë një kapitull të ri negociatash mes Presidentit të Republikës dhe krerëve të grupeve parlamentare të forcave më të mëdha politike. Për t’u paraprirë surprizave për rrëzimin e kandidaturave, këshilltarët e Presidentit do të nisin komunikimin me forcat politike. Muaji gusht do të pagëzohet si muaj negociatash. Paralelisht bisedimeve PD-PS, institucioni i Presidencës në dy javët e fundit të muajit gusht do të fillojë zyrtarisht bisedimet për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Vendet vakanteQë prej muajit maj, Gjykata Kushtetuese ka katër vende vakante në organikën e saj. Kushtetuesja përbëhet nga nëntë anëtarë, katër prej të cilëve u ka përfunduar në mënyrë zyrtare mandati. Sokol Sadushit i ka mbaruar mandati më 27 prill të këtij viti, Petrit Plloçit, Xhezair Zaganjorit dhe Admir Thanzës u ka përfunduar mandati më 21 maj. Ndërsa kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristos, i ka mbaruar më 7 qershor. Ngërçi i krijuar ka ndezur debatin Presidencë-Parti Demokratike, i cili megjithëse u shoqërua me akuza të rënda nuk i tejkaloi përmasat deklarative.
Procedura e përzgjedhjesAxhenda e Presidentit ka të përcaktuar datën 6 shtator për shpalljen e propozimeve për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Institucioni i Presidencës do të nxjerrë në fillim të muajit shtator emrat e 4 anëtarëve të rinj, ndërkohë që procedurat për zgjedhjen e kryetarit do të pasohen në ditët në vijim. Procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses do të përfshijë edhe mendimin e dy forcave më të mëdha politike. Do të jetë një grup këshilltarësh i Presidentit ata që do të përcaktojnë kriteret duke iu referuar Kushtetueses për përzgjedhjen e kandidaturave. Pritet të veprohet në të njëjtën mënyrë si në muajin qershor. Forcat politike do të kenë të drejtë të përzgjedhin nga dy kandidatura nga lista që këshilltarët e Presidentit do të përzgjedhin në bazë të plotësimit të kritereve.
Gjykata KushtetueseGjykata Kushtetuese do të fillojë procesin normal të punës më 14 shtator. Gjithsej janë 5 çështje që do të merren në shqyrtim në muajin shtator nga kjo gjykatë nga data 14-21 shtator. Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, i ka mbaruar mandati që më 7 qershor. Gjithsesi, ligji parashikon që ai të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Përgjegjësia e kryetarit të kësaj gjykate është dhe administrative, pra ai drejton edhe aktivitetin e të gjithë gjykatës dhe jo vetëm procesin gjyqësor. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 12 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, përgatit, thërret dhe drejton seancat plenare të kësaj gjykate, bashkërendon punën mes gjyqtarëve, përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët, si dhe nënshkruan aktet e saj, por dhe drejton punën e administratës së saj. Por sipas po këtij ligji, Kristo ka të drejtë të rizgjidhet sërish në krye të këtij institucioni. Kristo mori mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007 dhe në qershor të po atij viti u zgjodh kryetar i saj, ndërkohë që Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza tashmë janë pa mandat. Në zbatim të plotë të ligjit janë vetëm gjyqtarët e sapozgjedhur Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, të cilët u votuan pak kohë më parë në Kuvend. Mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese janë edhe Viktore Tusha dhe Sokol Berberi.
#