E Diel, 1 Nëntor 2026

Shmang doganën, ndalohet për trafik mallrash tregtari nga Hasi

Kukës

Një 50-vjeçar nga Hasi është vënë në pranga me akuzën e trafikut të mallrave nga Kosova në Shqipëri. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se shtetasi G.Neza, 50 vjeç, u ndalua nga policia kufitare në doganën e Morinit, pasi u gjet në flagrancë duke transportuar një ngarkesë me 9 krerë viça me një kamion tip “Iveko”. I njëjti burim saktëson se Neza, po kryente transportin e mallit duke iu shmangur detyrimit doganor që përbën një vepër penale. Kontrabanda e bagëtive për mish, veçanërisht viçat përbëjnë një fenomen të trafikut të paligjshëm të viteve të fundit në kufirin Kosovë-Shqipëri. Mendohet se një numër personash veprojnë në mënyrë të organizuar për tregtimin e viçave duke i blerë me çmim të lirë në Vojvodinë apo Maqedoni dhe duke i shitur të paktën dy herë më shtrenjtë në tregun e Tiranës. Vetëm muajin e fundit, policia ka sekuestruar tri ngarkesa me viça dhe ka vënë në pranga dy persona me këtë akuzë. Gjithashtu, policia lokale e Kukësit ka ndaluar të enjten shtetasin A.Ademi, 22 vjeç, pasi ai ishte shpallur në kërkim nga policia për vuajtjen e dënimit të dhënë pak muaj më parë nga Gjykata e Rrethit të Shkodrës. 22-vjeçari nga Kukësi është dënuar në mungesë për veprën penale “të vjedhjes në bashkëpunim”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›