E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakome, mbin një gurore pa leje mjedisore

Sarandë Bashkia nis inspektimin për identifikimin e firmës “fantazmë” që ka nisur punimet

Në afërsi të Pyllit të Prodanit, vetëm 500 metra sa futesh në Kakome ka “mbirë” një gurore pa leje mjedisore. Banorë të zonës tregojnë se rrëmbimi i shtresave ranore të dheut nga faqja më e ekspozuar e pyllit, është bërë nga një firmë inertesh. Ata thonë se makineritë e rënda të kësaj firme, që deri tani nuk ka asnjë identitet, kanë më shumë se një muaj që kanë instaluar një linjë të tipit “Frontera”. Nëpërmjet tyre, kodrën e pyllëzuar e kanë “ngrënë” me skrepa dhe duke kaluar nëpër linjën e përpunimit, e kanë kthyer në lëndë inerte për ndërtim, duke i sjellë mjedisit një dëm të pallogaritshëm. Denoncimi i banorëve ka shkuar së pari në institucionet përgjegjëse për ruajtjen e mjedisit. Inspektorja e mjedisit në Sarandë, Areti Papdhima, shpjegoi për “Shqip”
se kjo bën pjesë në zonat e mbrojtura, rreptësishtë të përcaktuara si të tilla. Papdhima u shpreh se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se një firmë e re inertesh është licencuar për të ushtruar aktivitet në zonën e Kakomesë dhe nisur nga kjo ajo tha se firma nuk ka marrë leje mjedisore, që është një element i domosdoshëm i licensimit. Inspektorja e mjedisit siguroi se “nuk do të lejojmë asnjë subjekt të ushtrojë veprimtari të paligjshme me ndikim negativ në mjedis dhe ndaj rastit të denoncuar e me këdo tjetër do të jemi rreptë, në emër të ligjit dhe në mbrojtje të mjedisit”. Në ditët në vijim strukturat përkatëse shtetërore pritet që të bëjnë identifikimin e firmës dhe pezullimin e aktivitetit të paligjshëm, që ka shtuar një gurore të re në hapësirën nga Volloderi në Grykën e Prodanit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›