E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Vendimi i KE-së, leksion demokracie”

Autori i Lajmit: S. Topi
Partia Socialiste ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka thyer rregulloren e Parlamentit të Shqipërisë duke dëmtuar imazhin e vendit, në lidhje me përfaqësimin e delegacionit parlamentar shqiptar në Strasburg. Menjëherë pas vendimit të Asamblesë së Këshillit të Evropës për ngrirjen e kredencialeve për delegacionin shqiptar ka ardhur dhe reagimi i sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade. Sipas saj, nuk mund të funksionojnë në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit. Ndërkohë që deputeti socialist, Sajmir Tahiri pohon se vendimi i Këshillit të Evropës vërteton edhe një herë krizën politike të vendit. Edhe ai ka akuzuar kryeparlamentare ëpr abuzim me mandatin e saj. Ndërkohë, deputeti Namik Dokle ka sqaruar se vendimi i KE-së erdhi pas ankesës së tyre. Ai sqaroi se kanë kontaktuar me sekretariatin e Asamblesë, të cilit i kanë sqaruar se ata nuk ishin të përfaqësuar, ndërkohë që ligjërisht u takonin dy vende.
Reagimi
“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, edhe njëherë, na jep leksione demokracie për mazhorancën shqiptare. Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi të funksionojnë. Përkundrazi, ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe zonja Topalli, më se një herë, e ka kryer këtë detyrë më së miri duke dëmtuar imazhin e vendit”, - tha sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade. Sipas saj, Kryetarja e Kuvendit i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Dade tha se pikërisht për këtë situatë të krijuar opozita do të vazhdojë protestat e saj. “Konstatimi, sipas medias, se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Evropës, është një mësim tjetër që mazhoranca duhet ta marrë. Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave evropiane që shqiptarët aspirojnë. Gjithashtu, ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhë krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës”, - tha Dade. Edhe deputeti Tahiri ka deklaruar se vendimi i Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar konstaton edhe një herë se jemi në një krizë të shumëfishtë. Tahiri theksoi se ky fakt mjafton për të konstatuar se jemi në mes të një krize institucionale, demokracie, që komprometon ecjen e reformave në vend. Sipas tij, arsyet për të cilat janë ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar është se Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ka abuzuar me mandatin e saj duke cenuar përfaqësimin e forcave politike dhe ka shkaktuar edhe këtë situatë të pakëndshme. “Draftrezoluta që pritet të votohet, konstaton se jemi në mes të një krize politike, sepse mungon dialogu mes dy forcave politike, krizë institucionale, sepse Kuvendi është jolegjitim, krizë demokratike sepse drafti, nëse miratohet, konstaton se zgjedhjet nuk përputhen me standardet”, - theksoi Tahiri. Ndërkohë ai theksoi se, nëse ndodh që qeveria nuk hap kutitë brenda mandatit 4-vjeçar, vendi do të shkojë në kolaps politik, demokratik dhe institucional. PS ka kundërshtuar delegacionin shqiptar për në KE që në momentin e miratimit të tij. Deputetja Arta Dade e ka quajtur letrën e Topallit drejtuar KE-së, diversion dhe dhunim i të drejtave të opozitës. "Këtë vit Jozefina ka emëruar sipas orekseve të saj anëtarët dhe ka grabitur vendet që u përkasin përfaqësuesve të opozitës në delegacionin parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjithashtu, në mënyrë flagrante zonja Topalli ka bërë edhe emërimin e anëtarëve të Parlamentit që parashikohen si zëvendësues të delegacionit kryesor", - ka theksuar Dade. Sipas saj, “aktet e Jozefina Topallit jo vetëm që nuk i shërbejnë uljeve të tensioneve, por përkundrazi japin një mesazh tejet negativ lidhur me angazhimin që duhet të manifestojë kjo mazhorancë lidhur me zgjidhjen e krizës".
Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›