E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet vakante në gjykata, Topi nis përzgjedhjen e anëtarëve

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nisur përzgjedhjen e 6 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe plotësimin e 2 vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. “Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, janë të ftuar të paraqesin pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin, si: kopje diplome dhe listë notash, kopje të titujve shkencorë, kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit, indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë, vërtetim nga institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore dhe çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Gjithashtu, bëhet e ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, është data 15 shkurt 2010. Presidenca njofton se përzgjedhjet do të jenë transparente dhe në respekt të ligjeve në fuqi dhe standardeve demokratike.

Ky lajm është publikuar: 26/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›