E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Vendimi i qeverisë, rëndohet me gjoba biznesi

Autori i Lajmit: Redaksia

Qeveria po godet rëndë biznesin. Kështu shprehet Partia Socialiste nëpërmjet deputetes së saj Mimi Kodheli. Ligjvënësja socialiste pohoi dje se në kulmin e
krizës politike dhe ekonomike që po kalon Shqipëria, Sali Berisha vendosi ta mbyllë edhe më shumë hapësirën për frymëmarrje të biznesit shqiptar. “Edhe pse i refuzuar nga komuniteti i biznesit muaj më parë, Sali Berisha, me kokëfortësi, këmbënguli dje në vendimin për të vjelë gjobat edhe në ato raste kur gjobat apelohen në gjykatë. Pra, edhe kur gjykata ende nuk është shprehur nëse një gjobë është e ligjshme apo jo, e rregullt apo e gabuar, sërish qeveria e Sali Berishës kërkon të marrë paratë, pavarësisht vendimit të gjykatës”, - tha ajo duke kundërshtuar në këtë mënyrë një vendim të së mërkurës, të marrë në mbledhjen e Qeverisë. Sipas saj, të gjithë e dinë mirë dhe e mbajnë mend se si Sali Berisha, përmes gjobave abuzive, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë kontrollin e plotë mbi bizneset shqiptare. Përdorimi i shtetit për hir të pushtetit të tij personal, nuk e ka ndaluar Sali Berishën të vendosë gjoba abuzive edhe ndaj medias. “Janë me mijëra biznese, të vogla e të mëdha, që pikërisht prej kësaj politike mesjetare të kulaçit dhe kërbaçit, janë detyruar të falimentojnë, duke lënë mijëra familje pa punë, në varfëri.
Por kjo deklaratë e djeshme e Sali Berishës në mbledhjen e qeverisë, nuk krijon vetëm një klimë negative për biznesin në Shqipëri, por shkon edhe kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, vendime të cilat, me sa duket, Sali Berisha nuk pret veçse ti shkelë”, - tha Kodheli. Në emër të Partisë Socialiste ajo i bëri thirrje qeverisë së votave të vjedhura, siç e quajti ajo, që të tregohet e kujdesshme me biznesin vendas dhe atë të huaj, sidomos në këtë moment kaq delikat që po kalon ekonomia shqiptare. “Deklarata e djeshme e Kryeministrit të Ruzhdies, nuk mund të shihet ndryshe veçse si sulmi i radhës ndaj komunitetit të biznesit shqiptar”, - përfundoi deputetja e PS-së.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›