E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: “Uroj që Parlamenti ti japë zgjidhje krizës”

Autori i Lajmit: Redaksia

Pak orë para se të niste seanca e Parlamentit, politika shqiptare ka marrë një apel nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh. Ambasadori Bosh ka pohuar nga Kukësi besimin se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të arrijnë kompromisin në Parlament. Sipas tij, debatet dhe zgjidhjet në politikë vijnë vetëm brenda sallës së Parlamentit. “Jam optimist për zgjidhjen në Parlament. Kam thënë se ngërçi zgjidhet vetëm në Parlament”,- ka deklaruar ambasadori i OSBE-së. Ai vuri theksin tek deklaratat e palëve që theksojnë se janë të gatshëm për kompromis, por shtoi se ende nuk është e qartë se çfarë duan të thonë me këtë. Bosh shtoi gjithashtu se ka pasur mjaft propozime, të cilat mund ti japin zgjidhje krizës. “Ditët e fundit kanë qarkulluar shumë propozime interesante për zgjidhjen e krizës”, - tha ambasadori ndërsa ka shtuar se kompromisi do të arrihet, pasi nuk ka një rrugë tjetër. “PS, duhet të mbetet në Parlament e aty ti shprehë mendimet e propozimet e saj. Për këtë ne inkurajojmë të dy palët se nga kjo do të ketë vetëm fitimtarë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›