Tension e entuziazëm, derbi mbaron në paqe
Leonard Karaj
Në një stadium të mbushur plot e përplot nga tifozeritë e të dyja skuadrave, derbi më i ri i kryeqytetit Kamza-Partizani u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Ka qenë një ndeshje me dy pamje, ku në të parën vendasit ishin më dominues në lojë, ndërsa e kundërta ndodhi në fraksionin e dytë, me një Partizan më të freskët. Megjithatë, dy gola për secilën pjesë, një nga vendësit në të parën dhe një nga të kuqtë në të dytën, fiksuan barazimin 1-1, në një ndeshje që nisi e qetë, u zhvillua e bukur, por që përfundoi me tension jashtë shkallëve të stadiumit. Protagonist ishte presidenti i të kuqve, Paro Laçi, i cili u duk i acaruar me tifozët vendas. Por momenti për t’u veçuar i pasdites së Njëshit të “Demave të kuq” ka qenë kur skuadra arriti barazimin me anë të Arian Shetës. Presidenti i të kuqve, nga gëzimi hipën mbi telat rrethues të stadiumit, aty ku ndodheshin tifozët e Partizanit dhe hidhet mbi ta. Këta të fundit natyrisht e kanë pritur po me aq entuziazëm. Laçi u bashkua me tifozët e kuq, mori një flamur dhe filloi të bëjë tifozllëk bashkë me ta. Pas golit “demat” morën zemër duke kërkuar dyfishimin e rezultatit, ku për pak sa nuk ia arrijnë. Karapici depërtoi nga e majta, hyri në zonë dhe gjuajti menjëherë, por topi që po i drejtohej rrjetës largohet nga Fatjon Tafaj në goditje këndi. Janë minuta të mirë për Partizanin, por që në fund të fundit do ti bindet verdiktit të fushës 1-1.
Ndërkohë në takimet e tjera Bylisi, i pandalshëm në këtë kampionat, ka mundur edhe Bilisht Sportin, në Ballsh (4-1). Në vazhdën e rezultateve pozitive ka vazhduar edhe Lushnja, e cila ka triumfuar pa shumë vështirësi, 3-0, ndaj Memaliajt në “Roza Haxhiu”, ndërsa Elbasani ka dalë me një barazim të bardhë 0-0 nga transferta e vështirë e Velipojës, me Adën vendase. Goleadë ka realizuar Turbina e Cërrikut, në ndeshjen që luajti në shtëpi me Gramshin. Fitorja 5-0 tregon supremacinë e cërrikasve në këtë ndeshje, aq sa ka “korrur” edhe Luftëtarin në sfidën e luajtur në Gjirokastër, ndaj Sopotit. Fitore minimale 1-0 ka marrë Besëlidhja në shtëpi ndaj Skraparit, ndërkohë që nesër do luhet Pogradeci-Burreli.