E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Seanca, afati i fundit për zgjidhje institucionale”

Autori i Lajmit: Redaksia

Partia Socialiste ka paralajmëruar paraditen e djeshme nisjen e protestave, nëse seanca plenare nuk i jepte zgjidhje krizës politike në vend. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos bëhet pengesë për zgjidhjen e krizës politike.
“Sot në ditën e fundit të të gjithë ultimatumeve euroatlantike për zgjidhjen e krizës i bëjmë dhe një herë thirrje Berishës dhe mazhorancës së tij që të reflektojnë e të mos bëhen pengesë për arritjen e një zgjidhjeje institucionale të krizës. PS thekson se në seancën e sotme Berisha ka mundësinë tu tregojë shqiptarëve e botës mbarë, nëse ky Parlament do të damkoset përgjithnjë si Parlamenti i Ruzhdies, apo si Parlamenti që e ndau Shqipërinë njëherë e mirë nga praktikat zullumqare të vjedhjes së zgjedhjeve”, - tha ai. Sipas socialistëve, zgjidhja e krizës vjen vetëm përmes hetimit të plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive. “Në seancën e sotme zoti Berisha ka mundësinë tu tregojë shqiptarëve e botës mbarë se sa i përkushtuar është ndaj integrimit e respektimit të standardeve demokratike e ligjore në Shqipëri. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke lejuar një hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, jo për efekt mandatesh, por për efekt të transparencës dhe parandalimit të zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen”, - theksoi Klosi. Ai i bëri sërish apel Kryeministrit të lejojë hetimin e plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive, në të kundërt, do të ketë protesta. “Kjo është ajo që po kërkojmë sot ne, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe jemi të vendosur ti shkojmë kësaj çështjeje deri në fund. Jepini fund kësaj krize, zoti Berisha. Në të kundërt do të përballeni me përpjekjet e vendosura e të pandërprera të popullit opozitar, që kërkon fundin e qeverisë suaj”, - përfundoi apeli i fundit i socialistëve.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›