E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania: Zgjedhjet nuk arritën standardet demokratike, reagon G99

Autori i Lajmit: Redaksia

Qeveria britanike, në raportin e fundit që ka publikuar për të drejtat e njeriut, vlerëson procesin zgjedhor të zhvilluar në Shqipëri duke pohuar se ai “përmbushi pjesën më të madhe të angazhimeve”. Megjithëse në këtë raport lihet të nënkuptohet se nuk u plotësuan tërësisht standardet për një proces zgjedhor të përsosur, sërish mund të thuhet se u bë punë e mjaftueshme për realizimin pozitiv të tyre. “Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme më 28 qershor. Ato u monitoruan nga OSBE dhe ODIHR, sipas të cilave, këto zgjedhje përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve, por nuk arritën standardet demokratike”, - theksohet në raport. Më tej, thuhet konkretisht se u realizuan përmirësime në procesin e regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, duke u konsideruar këto si përparime në kuadrin e zgjedhjeve në tërësi. Duke shtuar në fund se “përmirësimet në sistemin elektoral, bazuar në rekomandimet e ODIHR, duhen bërë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011 ku do të nevojitet mbështetja e të gjithë partive politike”. Pas publikimit të raportit vjetor të Britanisë së Madhe për të Drejtat e Njeriut ka reaguar G99. Përfaqësuesit e saj, i kanë cilësuar vlerësimet që bëheshin për vendin tonë në radhët e këtij raporti si mjaft negative, duke përbërë kështu “kambana alarmi për qeverinë”. “Sipas raportit në fjalë, korrupsioni në Shqipëri është shpërndarë gjerësisht në të gjitha hallkat e shtetit dhe shoqërisë, dhe puna e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit është e mangët”, - citohet në qëndrimin publik të G99, lidhur me këtë raport. Ndërsa shtohet se raporti gjithashtu thekson se gjatë vitit 2009 ka pasur shumë raste të sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe presione të ushtruara ndaj mediave të pavarura, sidomos në periudhën përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Në fund, preket edhe çështja e zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, duke pohuar se “raporti thotë se ato nuk u përputhën me standardet më të larta demokratike”. “Edhe një herë ndërkombëtarët po i tërheqin vërejtje shumicës qeverisëse, duke kërkuar transparencë të zgjedhjeve, si dhe konsensus në nivelin politik që do të mundësonte kryerjen e zgjedhjeve demokratike në vend”, - citohet në qëndrimin e Lëvizjes G99.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›