E Diel, 1 Nëntor 2026

Përurimet Berisha: “Ne, ndër 4 vendet në botë me rritje ekonomike”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryeministri Sali Berisha ka rinisur fushatën e përurimit të rrugëve. Dje ai ka qenë në përurimin e rrugës që lidh qendrën e komunës Prezë me rrugën kombëtare rreth 21 km larg Tiranës. Gjatë kësaj ceremonie kreu i qeverisë tha se Shqipëria është një ndër 4 vendet e botës me rritje ekonomike. Kreu i qeverise tha për vitin 2009 se Shqipëria nuk pati rënie ekonomike, por shtoi se u përball me një përmbytje të madhe, duke iu referuar përmbytjeve në qarkun e Shkodrës në fillim të vitit. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë përurim si nisjen e programit të sistemit të rrugëve rurale dhe dytësore në gjithë vendin. Projekti për ndërtimin e kësaj rruge është projekt turistik, me një vlerë prej 176 milionë lekësh, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në kuadër të projektit për përmirësimin e rrugëve dytësore dhe rurale në vend. Punimet e kësaj rruge me gjatësi 3,7 km do të përfundojnë pas 8 muajsh. Sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri tha se do të mbante premtimin për heqjen e vizave brenda vitit.
Përurimet
“Pas një dimri të fortë që kaloi vendi dhe jo vetëm vendi ynë, por mbarë Evropa dhe bota, të cilin, fatmirësisht, ne e kaluam pa dëme njerëzore nga katastrofat natyrore, nis një pranverë me një fillim të madh. Shqipëria ka përcaktuar kushtet më të favorshme për biznesin në Evropë, taksat më të ulëta, mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë ka vendosur barrën më të lehtë burokratike”, - tha dje Berisha gjatë përurimit të rrugës së Prezës. Sipas tij, Shqipëria kapërceu me sukses të madh vitin 2009 dhe mbeti një nga 3-4 vendet në botë për rritjen ekonomike të ndjeshme, sepse ne, siç ju jeni dëshmitarë, e kemi shndërruar vendin në një kantier. “Në këtë vit, shumica e vendeve jo vetëm që nuk rritën pagat dhe pensionet, por u detyruan t’i ulin ato nga 6 deri në 14 për qind, madje u detyruan t’i ulin jo vetëm një herë, por në mjaft raste edhe dy herë. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse Shqipëria ka përcaktuar kushtet më të favorshme për biznesin në Evropë, taksat më të ulëta. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse Shqipëria mbi shpatullat tuaja, mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë ka vendosur barrën më të lehtë burokratike”, - tha dje Berisha. Kryeministri pohoi se do të vazhdojë ndryshimi vendimtar i Shqipërisë dhe shndërrimi i saj në një vend të vërtetë evropian. “Shqipëria turistike do të jetë Shqipëria e shërbimeve më të mira për turistët nga mbarë bota. Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria e arsimit modern, e shëndetësisë moderne, do të jetë Shqipëria, në të cilën qytetarët e saj do ta ndjejnë veten gjithnjë e më krenarë”, - tha ai. Më tej duke folur për investimet në rrugë ai e cilësoi përurimin e djeshëm si një mundësi të madhe për të shtuar turizmin në kryeqytet. “Preza, dikur fortesë e paepur, sot, me këtë rrugë, shndërrohet në një bizhu të vërtetë turistike për banorët e saj, për qytetarët e Tiranës, qytetarët shqiptarë dhe të mbarë botës. Qeveria ka porositur që rruga të jetë në lartësinë e bukurive të mëdha që ka Preza dhe qendra juaj. Projektuesi dhe investitori, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nuk ka kursyer asgjë për të hartuar një projekt ndër më të bukurit në Shqipëri”, - përfundoi Kreu i Qeverisë.

Reagon Beqja
Përurimet e Kryeministrit për të fshehur krizën

Ligjvënësi socialist, Ilir Beqja, ka reaguar pas nisjes së fushatës së përurimeve nga kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, Berisha përuron rrugë të reja, ndërkohë që përurimet e vjetra nuk ka para për t’i përfunduar. “Kryeministri i kutive të mbyllura u shpreh sot se ekonomia shqiptare nuk u prek nga kriza globale. Pra, pranoi se kriza e sotme e ekonomisë shqiptare është fund e krye përgjegjësi e tij. Por, nuk na tha se, edhe nëse ka rritje në vitit 2009, kjo është 3 herë më e ulët se mesatarja e dekadës së fundit.
Kryeministri pretendon se jemi një nga 4 vendet e vetme me rritje ekonomike, por nuk guxon të shpjegojë pse shqiptarët jetojmë keq, pse sipërmarrësit fitojnë më pak, pse biznesi i vogël ka të ardhura më të pakta. Kryeministri përuron rrugë të reja, por nuk ka guxim të na tregojë se ku janë 6 mijë kilometrat që gënjeu vjet se i mbaroi. Nuk ka as guxim t’u kërkojë falje ndërtuesve të rrugëve, të cilëve, përveç se u ka 100 milionë euro borxh, i gënjen prej dy muajsh”, - tha Beqja.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›