PS, Xhaçka: Dorëheqjen e Priftit e ka në dorë populli jo Berisha i cili është vet fajtor

Tiranë, 14 janar
NOA Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka doli sot para mediave për të
reaguar mbi deklaratën e ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti i cili u
shpreh një ditë më parë se dorëheqjen e tij ka të drejtë ta kërkojë vetëm kryeministri
Berisha.
Sipas Xhaçkas dorëheqjen
e Priftit po e kërkon një popull i tërë dhe kryeministri nuk ka si kërkon një gjë
të tillë kur është vetë përgjegjës i përmbytjeve në veri të vendit.
Dje Partia
Socialiste i bëri me dije opinionit publik, se si ministri i Energjetikës,
Dritan Prifti, me një shpërfillje të paprecedentë përballë katastrofës që po na
kanosej, i hipi avionit dhe vijoi udhëtimin e tij turistik pesë ditor në Turqi.
Teksa niveli i
ujit në kaskadat e hidrocentraleve të vendit tejkalonte nivelin dhe normat
maksimale të lejuara dhe teksa përgatitej hapja e portave për shkarkimin e ujit
që në mënyrë të paevitueshme do të sillte përmbytjen e veriut të vendit,
pikërisht në këto momente njeriu përgjegjës për menaxhimin e kësaj situate zgjodhi
të braktiste detyrën dhe të shkonte për pushime.
Teksa banorët
përballeshin me fundjavën e tmerrit Ministri Prifti shijonte fundjavën e luksit
tha Xhaçka.
Po dje, përballë
këtij fakti të turpshëm, kur pritej të jepej dorëheqja apo largimi nga posti
qeveritar, Dritan Prifti reagoi me cinizëm duke theksuar se të drejtën morale
dhe ligjore për shkarkimin e tij e kanë vetëm dy emra: Sali Berisha e Ilir
Meta.
Jo zotëri nuk ta
kërkon Sali Berisha dorëheqjen se ai është përgjegjësi kryesor i kësaj
katastrofe që përmbyti veriun, shkatërroi shtëpi, toka, të mbjella e bagëti.
Por është një popull i tërë, i cili refuzon të drejtohet nga qeveria e votave
të vjedhura, e cila në këtë vit te ri nuk di të sjellë asgjë tjetër përveçse
fatkeqësi përfundoi deputetja socialiste.
k.k/NOA